Mustafa: Me arrestimin e Rugovës po tentohet të njolloset Qeveria Hoti

Prishtinë | 11 Tet 2020 | 17:21 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka dalë në një konferencë për medie në lidhur me rastin e arrestimit të kryetarit të Istogut, njëherësh nënkryetar i LDK-së, Haki Rugova, raporton Ekonomia Online.

Mustafa tha se arrestimi i Haki Rugovës është bërë pa asnjë bazë ligjore dhe se ky arrest është kryer në ditën kur është raportuar për 100-ditëshin e Qeverisë, që sipas tij, ka pasur për qëllim njollosjen e Qeverisë.

“Në emër të LDK-së kërkojë të zhvillohet sa ma shpejt procesi gjyqësor, të vërtetohet bazueshmëria ligjore e akuzave ndaj Haki Rugovës, në qoftë se ky proces zhagitet ne konsiderojmë se arrestimi, degradimi para opinionit si kryetar i komunës, si nënkryetar i LDK-së, si familjar është bërë me qëllime politike që ta dëmtojë atë personalisht dhe ta dëmtojë LDK-në”.

“Arrestimi është kryer në ditën kur është raportuar për 100 ditëshin e Qeverisë, sepse s’ka asnjë aferë korruptive, dhe ne dyshojmë që është tentuar të njolloset kjo Qeveri”, tha Mustafa.

Edhe avokati Besnik Berisha ka theksuar se kjo lëndë është qe sa muaj dhe nuk ka pasur asgjë të re, por është vendosur pikërisht 100-ditëshi i Qeverisë Hoti të ndodhë një arrestim spektakolar.

“Nuk kam qëllim ankese kundër vendimeve që janë marrë, por që ata të cilët paguajnë taksa e kanë mandate kushtetuese për të menaxhuar apo ndëshkuar abuzimet dhe menaxhuar ndëshkimet, ta kuptojnë që në rastin e Haki Rugovës është eksperimentuar. Është persekutuar dhe ajo që i ka ndodhur atij, s’duhet t’i ndodhë askujt, pavarësisht statusit të tij si qytetar apo person me pozitë zyrtare”.

“Shqetësimin që kemi paraqitur sot në Gjykatën e Pejës, e cila shpesh herë di të rreshtohet në krahun e Prokurorisë është jo se ka bërë krim, sepse krimi patjetër duhet aprovuar , por sepse dikush për një qëllim çfarëdo qoftë ai, ka dashur që t’i vë prangat Rugovës në një ditë derisa ai ishte duke drekuar”, deklaroi Berisha

“Zotri Rugova është aty jo pse ka bo krimi pasi kjo do të tregohet nga Prokuroria por është aty pasi dikush ka dashur t’i vëjë prangat teksa ishte duke ngrënë drekë”.

Mes tjerash avokati Berisha tregoi se njoftimin për arrestim Rugova e ka marrë derisa ishte duke drekuar në një restorant në Istog dhe për 15 minuta Policia kanë mbërritur në vendndodhjen e kreut të Istogut.

Gjykata Themelore në Pejë sot ka marrë vendim që t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak  prej 1 muaji kreut të Komunës së Istogut, Haki Rugovës.

Rugova është arrestuar nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke u dhënë familjarëve tokë të komunës. Një gurëthyes është arsyeja e arrestimit të kryetarit të Istogut. Ai dyshohet se ia dha në shfrytëzim një parcelë publike familjarëve të tij, të cilët ushtrojnë këtë veprimtari.

Të ngjashme