Nënkryetarja Bogujevci takoi Grupin frankofon dhe deputeten belge Nadia El Yousfi

Prishtinë | 10 Sht 2021 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Në vazhdën e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, nënkryetarja Saranda Bogujevci priti sot në takim Grupin frankofon dhe deputeten belge Nadia El Yousfi.

Në këtë takim nënkryetarja Bogujevci informoi deputeten Yousifi rreth punës së Kuvendit në përgjithësi, duke u ndalur me theks të veçantë te puna me të rinjtë në dy vitet e fundit. Ajo theksoi se në Kuvend ekzistojnë Grupi i Grave Deputete dhe Grupi i Deputetëve të Rinj, formacione të cilat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në shtyrjen e çështjeve dhe temave që lidhen me të rinjtë, barazinë gjinore, si dhe me të drejtat e grave.

Nënkryetarja Bogujevci foli edhe rreth punës që Kuvendi është duke bërë në hartimin e Ligjit kundër dhunës në familje, duke shtuar nevojën e përfshirjes edhe të akterëve të tjerë dhe dëgjimit të zërit të të rinjve në këtë proces.

Në anën tjetër edhe deputetja belge Nadia El Yousfi, duke u thirrur në bashkëpunim, theksoi se këto takime me të rinjtë kanë për qëllim avancimin e tyre në sfera të ndryshme, nëpërmjet diskutimeve e shtrimit të temave aktuale për vendet e Evropës. Sipas saj shkëmbimi i përvojave të ndryshme me të rinjtë është duke dhënë rezultate të mira, sepse, siç tha ajo, nga të rinjtë po nxirren vizione të reja.

Fare në fund, ky takim u cilësua si një pikënisje e projekteve të përbashkëta dhe mundësi e mirë e bashkëpunimit edhe më tutje ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë.​

Të ngjashme