Nga Vetëvendosje ua përkujtojnë deputetëve obligimin që kanë për seancat në Kuvend

Prishtinë | 04 Pri 2021 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit po del të jetë një sfidë në vete për pozitën, pavarësisht numrit të madh të deputetëve të cilët ka.

Duket se 58 deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me ata të Listës ‘Guxo’ nuk po arrijnë të bindin kolegët e tjerë që të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit.

Tentimi i parë u bë në seancën e mbrëmshme, ky herë u tentua të votohej por që mungonin votat e mjaftueshme në kutinë e votimit.

Kandidatja Vjosa Osmani dhe kundërkandidati i saj Nasuf Bejta nuk arritën as të shohin rezultatin e atyre votave, për shkak se numri nuk ishte i majfteushëm.

Edhe pse seanca zgjati për disa orë, me pauza të ndërmjetme në fund Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca deklaroi se seanca duhet të mbyllet dhe të vazhdojë për sot në ora 17:00.

E siç duket mos-arritja e bindjes së disa deputetëve të tjerë për të votuar Vjosa Osmanin ka aktivizuar të gjithë përkrahësit e anëtarët e VV-së.

Ish-deputeti i kësaj partie, Taulant Kryeziu sot ka publikuar pikën 83 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ku ndër të tjerat në thelb flitet për praninë e deputetëve, e cila duhet të jetë çdoherë pavarësisht çështjes së diskutimit në të.

Pika 83, Aktgjykimit te Gjykatës Kushtetuese “Të gjithe 120 deputetet e Kuvendit duhet te ndjehen te obliguar sipas Kushtetutes, Ligjit per deputetet, Rregullores se punes se Kuvendit dhe Kodit te sjelljes te marrin pjese ne seancat plenare te Kuvendit dhe te perkrahin procedurat qe parashihen aty, por mbi te gjitha, nje obligim vis-a-vis per njerezit e Kosoves qe i zgjodhen ata”, thuhet në publikimin e Kryeziut, transmeton lajmi.net.

Madje nga Lëvizja Vetëvendosje mbrëmë i bënë thirrje edhe deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti që të vie për të votuar, anipse në të kaluarën kishin një seri mos-marrëveshjesh e fyerjesh me njëri-tjetrin.
Xhavit Haliti paraprakisht deklaroi se nuk ishte njoftuar për seancën e zgjedhjes së presidentit, por që sipas tij deputetët duhet të qëndrojnë në sallë për të mundësuar zgjedhjen e presidentit.

Në sallë nuk ishin deputetët e PDK-së dhe AAK-së, por edhe dy deputetët e komuniteteve me të cilët kishte arritur marrëveshje vetë Osmani.

Mbetet të shihet nëse sot Osmani do të arrijë të sigurojë votat e mjaftueshme për zgjedhjen në krye të Presidencës së Kosovës.

Të ngjashme