Nëse Rama dështon të dëshmojë “shpifjen” e Haradinajt, nënkupton se është tradhtar

Prishtinë | 16 Jan 2020 | 11:02 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik Dastid Pallaska, ka komentuar padinë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ndaj kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj.

Pallaska ka thënë së refuzimi eventual i padisë nga gjykata për shkak të dështimit të Kryeministrit të Shqipërisë për të përmbushur barrën e provës që i takon sipas ligjit do të mund të nënkuptonte se Kryeministri i Shqipërisë është “tradhtar.”

Ky është statusi i plotë i tij:

Padia për shpifje dhe/apo fyerje e Kryeministrit të Shqipërisë kundër Kryeministrit të Kosovës paradoksalisht e vendos Kryeministrin e Shqipërisë para një predikamenti absurd ligjor po që së çështja shqyrtohet në meritë.

Në parim, sipas Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, për tu liruar nga përgjegjësia ligjore për shpifje dhe/apo fyerje i padituri ka barrën e provës për të vërtetuar se deklarata e tij/saj është e vërtetë.

Ky rregull ka një përjashtim të rëndësishëm në rastet kur objekt i kërkesëpadisë për shpifje dhe/apo fyerje është një çështje e interesit publik që si paditës përfshin persona që mbajnë funksione publike. Në këto raste, barra e provës për vërtetimin se deklarata përkatëse është shpifëse dhe/apo fyese kalon tek paditësi. Për më shumë, i padituri në këto raste mund të mbahet përgjegjës vetëm nëse e ka ditur që deklarata e tij/saj është shpifëse dhe/apo fyese dhe ka vepruar me mospërfillje të pamatur ndaj të vërtetës.

Kjo do të thotë se – po që se padia tejkalon pengesat e shumta procedurale dhe do të shqyrtohet meritorisht – Kryeministri i Shqipërisë do ta ketë barrën e provës për të vërtetuar se nuk është “tradhtar.”

Mbi këtë bazë, refuzimi eventual i padisë nga gjykata për shkak të dështimit të Kryeministrit të Shqipërisë për të përmbushur barrën e provës që i takon sipas ligjit do të mund të nënkuptonte se Kryeministri i Shqipërisë është “tradhtar.”

Të ngjashme