Partitë i duan votat e diasporës, por jo kuadrot

Prishtinë | 20 Maj 2017 | 10:08 | Nga

Partitë politike nuk po ftojnë kuadrot e shkolluara jashtë vendit që të bëhen pjesë e listave të tyre zgjedhore. Të rinjtë e specializuar në fusha të ndryshme po integrohen në shoqëritë perëndimore, ku po studiojnë me vetëfinancim apo edhe të përkrahur me fondet e shtetit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Por pas diplomimit hapësira për t’u kthyer në vendlindje dhe për të dhënë kontribut në kuadër të institucioneve të shtetit të Kosovës po zvogëlohet për ta. Ndërsa në prag të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit ky kuadër nuk po ftohet që të bëhet pjesë e partive dhe programeve të tyre për zhvillimin e shtetit.

Nezir Kraki, profesor i shkencave politike në universitetin “Paris Est”, thotë për “Zërin” se partitë politike në Kosovë asnjëherë nuk kanë pasur qasje zgjeruese apo inkuadruese karshi profileve apolitike, e aq më pak karshi personave që janë shkolluar dhe formuar jashtë vendit dhe të cilët, sipas tij, me llogaritjet e pazareve politike mendohet se nuk kanë “bazë elektorale” në Kosovë.

“Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë shkaku i funksionimit klientelist të partive politike, të cilat bëjnë jetë ‘normale’ edhe pa diploma apo njerëz të shkolluar jashtë. Kjo dihet që është në dëm të Kosovës, por Kosova nuk është gjithmonë preokupim i partive”, ka shtuar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme