Presidenti amerikan Donald Trump e ka konfirmuar se Kosova dhe Izraeli do të vendosin marrëdhënie diplomatike, derisa si pjesë e kësaj ujdie Serbia do të zhvendosë ambasadën e vet në Jerusalem.
Ai përmes një cicërime në Twitter e ka përgëzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Urime presidentit Aleksandar Vuçiq për njoftimin për zhvendosjen e Ambasadës së Serbisë në Jerusalem deri në muajin korrik. Është një veprim i guximshëm dhe historik”.
I pari i shtetit më të fuqishëm në botë ka paralajmëruar se edhe vende të tjera islamike dhe arabe do ta njohin Kosovën.
“Një tjetër ditë e jashtëzakonshme për paqen me Lindjen e Mesme – Kosova me shumicë myslimane dhe Izraeli kanë arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike. Ju lumtë! Më shumë vende islamike dhe arabe do të pasojnë!”.