Përfundon marrja në pyetje nga mbrojtja e dëshmitarit Ismaili, i cili tha se ishte anëtar i njësitit BIA

Prishtinë | 29 Mar 2022 | 14:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mbrojtja e Salih Mustafës, ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarit të tretë, Jakup Ismaili, i cili tha se ishte anëtar i njësitit BIA.

Dëshmitari Jakup Ismaili, ka thënë se sa i kujtohet takimi tjetër me Mustafën ka qenë dikur në fillim të prillit.

“Dmth ka qenë fillimi i prillit, 7 ose 8 prill. Fillimi i prillit se prej takimit që ka qenë formal që unë nuk kam marr pjesë, në takimin e dytë ka shku 7-8 ditë, planet për me hi në Prishtinë, planet operative si me i tërhek barnat, ka qenë dikur pas 7-8 ditë. Diku fillimi i prillit, 7-8 përafërsisht, fillimi prillit”, tha dëshmitari.

Tutje, deklaroi se në atë takim, ku është folur për këto plane strategjike, ka qenë vetëm ai dhe Salih Mustafa, pasi në shtëpinë e dëshmitarit ka pasur furnizime me barna, pasi motra e babai i kanë punuar në Fakultetin e Mjekësisë.

“Në shtëpinë time ka pasur edhe të zhvendosur nga rajonet tjera dhe është dasht me pas furnizim me barna. E kam njoftu çfarë sasie me barna ka pasur në shtëpi”, tha Ismaili.

Dëshmitari tha se plane konkrete për të hyrë ai si individ për të hyrë në Prishtinë dhe tërheq ato medikamente kanë qenë mes tij e Salih Mustafës, kurse tha se më vonë është shtrirë plani edhe të Mustafë Sopi dhe të tjerët.

Ismaili ka deklaruar se e ka parë Mustafën dy apo tre herë që ka qenë te shtëpia e Mustafë Sopit e se ka lëvizur.

“A e dini gjë se ku i duhej të shkonte”, pyeti avokati Von Bone, e dëshmitari tha se atij personalisht nuk i kujtohet kjo.

Dëshmitari tha se në rastet kur është takuar me Salih Mustafën, i njëjti nuk kishte veshje diçka të veçantë, kishte jelek gjuetie.

“Përveç jelekut të gjuetisë, civil komplet”, tha dëshmitari, kurse tha se personalisht nuk ka parë ndonjë emblemë në veshjet e Mustafës, ndërkaq konfirmoi se kishte armë me vete të llojit “Skorpion” që nuk i kujtohet.

Ai tha se personalisht ka qenë i veshur me rroba civile gjatë kohës që ka qëndurar në Butovc.

Dëshmitari konfirmoi se ka qenë anëtar i UÇK-së, në cilësi të ushtarit, ku bënte pjesë në njësitin BIA.

“Ishte një formacion ushtarak, si çdo formacion tjetër”, tha ai.

Tutje, tha se personalisht si anëtar të BIA-së ka njohur Mustafë Sopin, Halil Borovcin e se emrat tjerë nuk i kujtohen për momentin.

Ai tha se funksioni i tij brenda BIA-së ishte si ushtar dhe asgjë tjetër, kurse, konfirmoi se bën pjesë në shoqatë veteranësh të UÇK-së, ndërsa, tha se ka marrë pjesë në luftimet në Gollak.

“A ka ndonjë dallim mes shoqatave të veteranëve sa u takon anëtarëve”, ka pyetur Von Bone.

“Sa kam dijeni unë, janë veteranë, veteranë luftëtar, invalid. Këtë e di, nuk di më tepër”, tha ai, kurse tha se bën pjesë te veteranët luftëtar.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e mbrojtjes, u vijua me pauzën e drekës, ku më pas pritet t’i parashtrojnë pyetje dëshmitarit palët tjera.

Dëshmitari thotë se me Salih Mustafën kanë biseduar se si të furnizohet popullata civile me ndihma humanitare

(Përditësuar, ora: 12:05)Dëshmitari i tretë i mbrojtjes, Jakup Ismaili, në seancën e së martës, ka thënë se me Salih Mustafën kanë pasur biseda për plane strategjike, se si të furnizohet popullata civile.

Fillimisht, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Salih Mustafës, dëshmitari Jakup Ismaili ka thënë se ka jetuar në Prishtinë në mars të vitit 1999.

Ai ka deklaruar se në vitin 1999 janë marrë me çështje, të cilat kanë pasur të bëjnë me ndihma humanitare.

Arsyeja pse ekzistonte nevoja për ndihma humanitare, ai tha se ishte pasi në Prishtinë kanë qenë të zhvendosur popullata, e cila është shpërngulur nga rajone të tjera të luftës, si i Drenicës, Dukagjinit e të tjerëve.

“Ka qenë domosdoshmëri për me formu një këshill të emergjencës për të ndihmuar atë popullatë”, bëri të ditur ai.

Kurse, shtoi se popullata strehohej nëpër familje, nëpër fshatra, në përgjithësi në Prishtinë dhe në rrethinë.

Sipas tij, janë furnizuar me ushqime e ujë, e gjëra që kishte nevojë popullata.

“Jena furnizu nga bamirësit, fshatrat që kanë grumbullu miell. Sidomos ka qenë Kamenica, jena furnizu nga shoqata e Nënë Terezës, shoqata të ndryshme, Kryqi i Kuq etj.”, ka bërë të ditur Ismaili.

Ai tha se Këshilli Komunal për Emergjenca, i cili ishte i vendosur në një shtëpi private në Velani, është themeluar nga Këshilli Republikan.

“Qeveria e Përkohshme që ka qenë në ekzil i ka çu mjetet dhe financu, përveç ndihmave që i thash ma herët dhe bamirësit tjerë. Kanë financu dhe janë ble brenda Kosovës produktet që kanë qenë të nevojshme, barna, ushqim dhe aty kanë fillu mandej me u shpërnda”, bëri të ditur ai.

Në Këshillin Komunal për Emergjenca, ai bëri të ditur se kanë qenë aktiv diku afër 12-13 persona, por se kanë qenë aktiv edhe këshillat tjera të subjektit të LDK-së, të cilët kanë qenë aktivistë dhe kanë shkuar për të marrë ndihma e shpërndarë në popullatë.

Ai tha se LDK është subjekt politik, që ka funksionuar në atë kohë dhe funksionon edhe sot.

“LDK ishte e përfshirë në strukturat organizative të këshillit të emergjencës. Shumica e aktivistëve që kanë ekzistu edhe më herët, kanë qenë të përfshirë. Dmth për me mujt me përfshi terrenin dhe tërë Kosovën”, tha ai.

Tutje, deklaroi se ka qenë i përfshira në fillim në këshill organizativ, e më pas tha se ka qenë direkt aktiv në shpërndarjen e ndihmave, që bëhej në të gjitha pjesët e Kosovës, por kryesisht në Prishtinë për shkak të zhvendosjes së popullatës.

Dëshmitari tha se sulmet ajrore të NATO-s në Kosovë kanë filluar me 24 mars të vitit 1999. Ndërkaq, tha se aktivitetet e këshillit të emergjencës kanë qenë në funksionon për nevojat e njerëzve edhe para kësaj date.

“Neve na konsiderojshin fajtor për sulmet e NATO-s dhe duke na lënë fajtor, ata filluan me rrit presionin ndaj popullatës me vrasje, maltretime, pa kursy pleq, gra, të paralizuar. U rrit presioni dhe fajtori ishim ne për sulmet e NATO-s”, tha ai.

Tutje, ai tha se janë detyruar popullata bashkë me këshillin të bëjnë plane për tu shpërngulur nga Prishtina.

“Ne aktivistat të shpërngulemi në pjesë të fshatrave, popullata në Maqedoni dhe pjesë të fshatrave të ndryshme. Dhe ashtu u bo dëbimi, dëbimi u bo me dhunë”, tha Ismaili.

Ai deklaroi se edhe ai vet është larguar nga Prishtina pas orës 12:00 të 24 marsit të vitit 1999, që sipas tij i bie me 24-25 mars.

Dëshmitari ka thënë se së bashku me shokun e tij Sabit Krasniqin kanë vazhduar rrugën për Hajvali, për tu tërhequr në Mramor dhe për të parë ku munden të gjejnë ndonjë aktivitet të ri për tu marrë me ndihma humanitare.

“Vazhduam rrugën për fshatin Hajvali, e kemi pa të arsyeshme të shkojmë në fshat pasi ka qenë e pamundshme me u tërheq nga ajo pjesë. Nuk më kujtohet saktë, por më kujtohet se kena qëndru derisa kena bo ni plan për mu tërheq për shkak se nga gjutjet e NATO-s,s i duket aty ka qenë një bazë ushtarake dhe ka ekzistu municion ushtarak dhe ka pas shpërthime, nga shpërthimet e materialeve të cilat nuk i di, ka pas të lënduar shumë njerëz, edhe polic nga serbët edhe ushtarë serb, edhe ka pas popullatë shumë të vrarë, ku s’kena mujt me identifiku saktë se çka janë, a janë shqiptarë apo serb, veç kena pa të lëndum dhe vrarë shumë në atë pjesën e Hajvalisë”, tha ai.

Sipas tij, forcat paramilitare nuk e kanë vërejtur që mundet me pas ndonjë shqiptar dhe janë tërhequr me një rrezikshmëri mjaft të lartë.

Tutje, dëshmitari tha se sa i kujtohet diku 24 orë kanë qëndruar në fshatin Hajvali  dhe se më pas shkuan në drejtim të Mramorit.

“Shoku im i ndjerë e ka njoft atë terren shumë ma shumë se ka qenë në një pjesë, ku ka qenë rajoni i tij. Ka qenë i fshatit Grashticë dhe e ka njoft terrenin mirë dhe unë i kam shku prapa ma shumë. Kena kalu në një pjesë të Mramorit, tani kena vazhdu në fshat Butovc te një kushëri i tij, ka qenë mjek me profesion, Krasniqi mbiemrin e emri nuk më kujtohet”, tha ai.

Dëshmitari ka thënë se në Butovc se është takuar me personat që janë zhvendosur nga Prishtina.

“E ka vërshu qaq shumë atë pjesë popullata sa që ka qenë diçka e pamundshme me pa edhe dikë që ke mujt me njoft”, tha ai. Ndërkaq shtoi se rregullisht ka qenë bashkë me shokun e tij, Sabit Krasniqin.

Personat në atë rajon tha se më shumë i ka njohur shoku i tij pasi ka qenë i asaj pjese, e se vet dëshmitari më shumë ka qëndruar si monitorues.

Dëshmitari u pyet se si ndodhi që u takua me Salih Mustafën në Butovc, ndërkaq ai tha se ka ndodhur shumë rastësisht.

“E kuptova që është Salih Mustafa aty në Butovc dhe shkova se pata ftesë prej Sabitit se hajde se duhet me u ul me bo plane si me ndihmu popullatën. Shkova u takova dhe morëm udhëzimet për me shku me u taku me këshillin tjetër emergjent në Butovc te shtëpia e Mustafë Sopit dhe ne vazhdum me shku atje”, tha ai.

Ai tha se Mustafë Sopi ishte një profesor, i cili u ka dhënë mësim atij dhe Salih Mustafës e shumë të tjerëve.

“Kishte shtëpinë aty në Butovc. Në atë shtëpi jena organizu të gjithë na që kena punu në Këshillin e Emergjencës, të bëjmë planë strategjike për me ndihmu atë popullatë të zhvendosur në atë pjesë”, ka thënë ai.

Dëshmitarit i është treguar një dokument që është hartuar nga mbrojtja në kohën kur ka dhënë dëshminë për mbrojtjen. Në këtë dokument thuhej se data e shkruar është mëngjesi i 27 prillit, pas mesnate.

Avokati Julius Von Bone e ka pyetur dëshmitarin se a është data e mbërritjes së tij në Butovc, a është data në dokument apo ajo në sallë.

“Këtu kjo datë është gjatë përkthimit ka ndodh ndonjë gabim. E kam dhënë vërejtjen edhe kur e kam lexu këtu, nuk ka të bëj me 27 prill, por me 27 mars. Ka mujt gjatë përkthimit të bëhet lëshim apo gabim momental”, tha ai.

Ai tha se intervista e dhënë nga ai është dhënë vetëm për marsin dhe jo 27 prillit.

“Keni bo gabim teknik. Nuk e pranoj këtë datë 27 prillin”, bëri të ditur dëshmitari.

Avokati e ka pyetur se sa kohë pas mbërritjes në Butovc e ka takuar Salih Mustafën, e dëshmitari tha se e tha edhe më herët se datat e sakta është problem t’i di pas 23 vitesh, por sipas tij gjithmonë e ka orientuar diku në mars, 28, 27 apo 29 mars, përafërsisht në këto data.

“Në këto data diku, është kohë shumë e gjatë dhe kam problem me kujtesë”, tha ai.

Tutje, dëshmitari tha se takimi i parë me Mustafën ka ndodhur në Butovc, te familjari i Sabit Krasniqit që ka qenë mjek, ku aty nuk ka pasur kontakt direkt personal me Mustafën.

Por, tha se udhëzimet për të shkuar në këshillin e emergjencës te Mustafë Sopi në Butovc janë marrë nga Salih Mustafa.

Dëshmitari deklaroi se pas këtij takimi kanë qenë takime të tjera.

“Kur jena stabilizu te shtëpia e Mustafë Sopit, kena fillu me bo organizimit për ndihma humanitare dhe me vepru për ndihma humanitare për të zhvendosurit, mandej aty ka ardh te Mustafë Sopi dhe unë nuk kam qenë aty prezent. Kam qenë me një pikë, ku është dasht të jem i pozicionum për shkak se forcat serbe ishin shumë afër dhe për të përcjell situatën pasi kishim frikë se në momente të caktuara do të ketë ofensivë”, tha ai.

Ai tha se Mustafë Sopi e ka njoftuar Salih Mustafën se “personi në fjalë është këtu, këtu në këtë pikë”.

Dëshmitari tha se Mustafa ka qenë kureshtar të ketë kontakte direkt me të dhe të jetë projektues i një plani strategjik si të veprohet dhe furnizohet popullata civile në atë pjesë dhe ka shkuar në pikën, të cilën ai ka qëndruar.

“Salih Mustafa në atë takim ku në kena qëndru, ne kena pas biseda vetëm për plane strategjike, si me vepru, si me hy në Prishtinë, me furnizu popullatën civile, me armatim, barna dhe furnizime tjera. Kena marr në kushtet e asaj kohe një laps, që e kishte me veti dhe një fletore dhe ka kërku nga unë se ku qëndrojnë mas shumti depot e barnave, pasi kishte nevojë popullata për barna shumë dhe depo të ushqimit. Sidomos ka qenë i orientum se ku janë depot e barnave në Prishtinë”, tha ai.

Tutje, tha se kanë filluar të bëjnë biseda si t’i tërheqin nga ajo pjesë dhe cila rrugë do të jetë më e mundshme t’i tërheqin nga Prishtina.

“Nuk kanë qenë biseda një orë apo dy, por 5 -6 orë apo 7 orë derisa jena lodh dhe kena dal me bo monitorim të terrenit për shkak të sigurisë dhe jena kthy në të njëjtin ven. Ka qenë koha relativisht ftoftë, ne nuk e kemi ditë se ka aty varre të vjetra dhe jo mirëmbajtura dhe jena shtri aty, jena ul me pushu. Realisht ka kërku në torbën time se cka kam, e kam nxjerrë torbën, kena pa dhe shiqu se ka barna për qetësim, kam pas me veti”, tha ai.

Ai tha se sipas planit, barnat kanë qenë të parapara të vendosen në Butovc dhe kanë kërkuar të sigurohen në një vend më të përshtatshëm dhe Mustafa ka kërkuar të bëhen depo për ruajtje të barnave dhe se realisht i kanë bërë ato.

Tutje, tha se do të vendoseshin në pyll, në një pjesë që do të ishte e padukshme se ku janë vendosur.

Ai është pyetur se a ka marrë pjesë ai e Salih Mustafa në ndërtimin e këtyre depove, ku dëshmitari tha se ai vet ka marrë pjesë, ndërkaq Salih Mustafa jo, për të cilin tha se nuk e  di se ku ka shkuar.

Ndërkaq, i pyetur se në çfarë vendi tjetër e ka parë Mustafën, ai tha se në shtëpinë e Mustafë Sopit dhe kohë pas kohe në terren.

Të ngjashme