Përfundon takimi i krerëve të shtetit me zyrtarët e lartë amerikanë, Haradinaj kërkon njohje nga Serbia me kufijtë ekzistues

Prishtinë | 27 Shk 2019 | 17:43 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka përfunduar takimi i krerëve të shtetit me zyrtarët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, raporton Ekonomia Online.

Për rreth dy orë, zyrtarët amerikanë, John Erath dhe Brad Berkley, janë pritur në zyrën e presidentit Hashim Thaçi.

Në takim i pranishëm ka qenë edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, në takim ka theksuar se Kosova është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj. Sipas Haradinajt, njohja nga Serbia duhet të ndodhë me kufijtë ekzistues të Kosovës së 17-shkurtit.

“Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Poashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, kryeministri Haradinaj në takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, ka theksuar se Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj, duke vlerësuar se Kosova i mbetet besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas takimit as zyrtarët amerikanë dhe as krerët e shtetit kosovar, nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për mediet.

LEXO EDHE: Thaçi takohet me zyrtarët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së ShBA-së, John Erath dhe Brad Berkley

Të ngjashme