Qeveria miraton Projektligjin për TVSh-në, Haradinaj e konsideron lajm të mirë për të gjithë

Prishtinë | 19 Tet 2018 | 09:28 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, lidhur me këtë projektligj tha se bizneset do të jenë të liruara nga të gjitha interesat që i kanë paguar deri më sot, raporton Ekonomia Online.

“Bizneset do të kenë likuidet më të madh. Do të jetë i liruar nga të gjitha interesat që i kanë paguar deri më sot”.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ky është lajmi më i mirë për të gjithë.

“Ky është lajmi më i mirë i mundshëm për vendin, për sipërmarrësit, për prodhuesit, për të gjithë të tjerët”.

Në mbledhjen e qeverisë është aprovuar edhe propozim-vendimi i Ministrisë së Financave për kursime, ndarje dhe transfere buxhetore.

Ministri Bedri Hamza kërkoi aprovimin e tij, raporton EO.

“Ky proces ka për qëllim adresimin e mungesave të disa organizatave. Duke pasë parasysh nevojën për këtë veprim të zakonshëm drejt fundit të vitit fiskal kërkojmë aprovimin e saj”.

Kabineti qeveritar po ashtu është pajtuar edhe për Nismën për negocimin e Marrëveshjes financiare për “Projektin për patundshmëri dhe infrastrukturë gjeohapësinore” ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

“Kemi identifikuar për financim projektin për patundshmëri dhe infrastrukturë gjeohapësinore. Projekti kap vlerën 16.5 milionë dollarë. Implementuesi i marrëveshjes do të jetë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”.

Projektligji adreson rregullimin e sistemit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në territorin e Republikës së Kosovës, sistem i cili përfshin aplikimin e tatimit të përgjithshëm në konsum për mallra dhe shërbime. Projektligji vlerësohet si pjesa më e rëndësishme e reformës fiskale të Qeverisë dhe ofron lehtësi dhe lirime që do të ndihmojnë zhvillimin e biznesit në vend.

TVSh është e përshkallëzuar në dy norma, atë standarde prej 18% dhe normën e reduktuar prej 8%, të vlerës së furnizimeve të importuara dhe furnizimeve të brendshme të tatueshme, me përjashtim të furnizimeve të liruara dhe furnizimeve të trajtuara si eksporte. TVSh-ja llogaritet në çmim sipas normës së aplikueshme, ngarkohet në mallra dhe shërbime, e që bartet nga konsumatori i fundit.

Të ngjashme