Riaktualizohet strategjia e ekipit të Bahtirit kundër Bedri Hamzës, Lushtaku i demanton: Isha në të pame në Mitrovicë, Bahtiri mos ta keqpërdor

Prishtinë | 11 Sht 2021 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Media të afërta me Agim Bahtirin, sot gjatë ditës raportuan se Sami Lushtaku ka nisur lobimin për Bedri Hamzën në Mitrovicë.

Megjithatë, kjo është demantuar nga vetë Lushtaku, i cili ka sqaruar se ka qenë në një pame në Mitrovicë tek familjarët e tij.

“Kam qenë në Mitrovicë në një të pame te do kushërinj të mi. Nuk e di pse po politizohen edhe kafet e mia me familjarët e mi. Unë jam kah përkujdesem ekskluzivisht për fitoren e PDK-së në Skenderaj dhe portalet e Agim Bahtirit në Mitrovicë i lus që të mos i keqpërdorin edhe vizitat e mia ngushëlluese për agjendën e tyre politike”, ka thënë Lushtaku përmes telefonit për Periskopi.com.

Ndryshe, ditë më parë është publikuar një strategji propaganduese që pretendohej se është e ekipit të Agim Bahtirit për ta sulmuar kandidatin e PDK-së për kryetar, Bedri Hamzën.

Aty thuhej se javën e parë dhe të dytë duhet të merren me Sami Lushtakun, i cili nuk gëzon autoritet tek mitrovicasit vendës dhe duke përdorur thashethemet dhe gjysmë të vërtetat ta lidhin Lushtakun me kandidimin e Bedri Hamzës.Madje në këtë dokument përmendej se duhet të përfshihet edhe ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ku siç thuhet Veseli duhet të raportohet se ka dërguar një letër nga Haga, gjoja që ai është i pakënaqur me kandidaturën e Hamzës.Po ashtu, aty potencohej se duhet të bëhen montazhe edhe fotografi të ndryshme denigruese kundër kandidatit të PDK-së.

Të ngjashme