Selimi: Spektakli me Gjuriqin la në hije takimin e fshehtë Thaçi – Veseli – Haradinaj

Prishtinë | 27 Mar 2018 | 18:45 | Nga

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi në “Express Intervistën” në KTV, ka folur për aksionin e Policisë së Kosovës për arrestimin e Marko Gjuriqit, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën qeverinë e Beogradit.

Derisa ka thënë se aksioni për arrestimin e zyrtarit serb ka mundur të ndodhte edhe më herët, Selimi ka thënë se ky aksion ka qenë i shkëputur prej veprimeve që kanë ndodhur prapa shpinës së policëve të Kosovës.

“Ka ndodhur edhe një takim i krerëve institucionalë të Kosovës. Gjithë ky takim ka mbetur në hijen e arrestimit të Gjuriqit”, ka thënë Selimi në “Express Intervistën” e KTV-së.

“Takimin e presidentit [Hashim Thaçi], parlamentarit [Kadri Veseli] dhe të qeverisë [Ramush Haradinaj]. Ky takim është bërë për jetësimin e Zajednicës. Më 22 mars kaloi demarkacioni. Ndërsa në Bruksel u hap agjenda për Zajednicën. Kjo e pamundëson funksionimin e shtetit”, ka shtuar deputeti i VV-së, transmeton Koha.net.

I pyetur për rolin që kishte Haradinaj në aksionin e së hënës për arrestimin e Gjuriqit, Selimi ka thënë se shefi i qeverisë ishte jashtë agjendës, pasi sipas tij, është i pafuqishëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Brendshme.

“Kryeministri ka qenë jashtë kësaj agjende. Përse është i pafuqishëm në qeveri ai duhet ta sqarojë këtë. Nuk e ka në dorë as MPJ-në as MPB-në. Këto dy ministri i përkasin një subjekti tjetër, kështu që dje Haradinaj është përjashtuar nga agjenda”, ka thënë Selimi.

Të ngjashme