Shasha: Kroacia do të përshpejtojë procesin e liberalizimit të vizave

Prishtinë | 03 Jan 2020 | 14:52 | Nga Albanë Hajdari

Nga 1 janari e deri më 30 qershor Kroacia do të ketë Presidencën e Këshillit të BE-së. Në këtë funksion, Kroacia do këtë rol kyç në përcaktimin e punës dhe agjendës së BE-së mes 28 vendeve anëtare.

Në bazë të kësaj Kroacia ka miratuar Programin e Presidencës së saj të BE-së ku ka definuar disa çështje kyçe një ndër to edhe tejkalimi i bllokadës së Francës në procesin e zgjerimit të Ballkanit dhe hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kurse sa i përket Kosovës ky program nuk e ka përcaktuar liberalizimin e vizave për qytetarët.

Por, drejtori Ekzekutiv i Institutit Epik, Demush Shasha tha për Ekonomia Online se gjatë këtyre gjashtë muajve Kroacia mund të ndërmerr hapa përgatitor për liberalizimin e vizave, gjë e cila do të ndihmojë për progres gjatë gjashtë mujorit të dytë të Presidencës së Gjermanisë.

“Sa i përket Kosovës, fatkeqësisht, programi nuk përcakton liberalizimin e vizave si arritje specifike që synon Presidenca e Kroacisë. Prandaj, në këtë drejtim, vlerësoj se Kroacia do këtë një qasje shumë pozitive dhe përkrahëse për avancimin e Ballkanit drejt BE-se, por fatkeqësisht duhet te jemi skeptik sa i përket ndonjë gjë konkrete ne rastin e Kosovës gjate 6 muajve të parë të vitit 2020. Skenari më optimist është që Kroacia të ndërmerr veprime përgatitore për çështjen e liberalizimit të vizave, gjë që do të shtrojë rrugë për progres eventual gjatë Presidencës së Gjermanisë së BE-së në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020”, tha ai.

Sipas tij, institucionet e vendit duhet të avancojnë proceset e ngecura integruese që ndërlidhen me çështjen e liberalizimit të vizave.

 “Në këtë drejtim institucionet e Kosovës duhet sa më shpjet të formësohen me shpresë se qeverisja e ardhshme do te këtë mazhorancen e bollshme parlamentare dhe vullnet politik për te avancuar proceset e ngecura integruese te vendit, qofte ato te ndërlidhura me liberalizimin e vizave, apo ato te ndërlidhura me statusin e vendit kandidat”

 Andaj thotë Shasha se Qeveria e ardhshme duhet të punojë në dialogun me Serbinë dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Siç thotë ai, Kosova duhet të ketë rezultatet konkrete në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në këtë mënyrë mund të ketë vendimmarrje pozitive për liberalizim të vizave në vitin 2020.

“Duhet të shpresojmë se konfigurimi i ardhshëm qeverisës do të këtë vullnet politik për të shënuar progres në dy aspekte, në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe rrjedhimisht arritja e rezultateve bindëse në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Vetëm kështu mund të bindim vendet anëtare të BE-së se Kosova meriton liberalizimin e vizave dhe avancimin e rrugës së saj Evropiane dhe vetëm kështu mund të shpresojmë një vendimmarrje pozitive sa i përket liberalizimit të vizave në 2020”, ka thënë Shasha për EO.

Të ngjashme