ShBA-ja nuk ka pozicion rreth rezultatit të dialogut, por insiston në njohje të ndërsjellë

Prishtinë | 09 Mar 2019 | 12:39 | Nga Ekonomia Online

Përkrahja amerikane për Kosovën është e palëkundshme. SHBA-ja kujdeset thellë për mirëqenien, prosperitetin dhe sigurinë e Kosovës. Dhe këto janë bazat mbi të cilat zhvillohen diskutimet mes SHBA-së dhe Kosovës.

Kështu ka thënë nënsekretari amerikan për çështje politike, David Hale, të shtunën në Prishtinë, pas takimit me krerët e institucioneve të Kosovës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nga tri media kosovare, përfshirë “Kohën Ditore”, nënsekretari Hale ka përsëritur qëndrimin amerikan rreth dialogut, duke theksuar se Washingtoni konsideron se tani është një moment i përshtatshëm për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, duke theksuar se në bosht të asaj marrëveshjeje duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Sidoqoftë, nënsekretari Hale e ka përsëritur se SHBA nuk ka një pozicion të vetin se cili duhet të jetë rezultati i dialogut, dhe se përmbajtja e marrëveshjes do të varet nga të dy palët.

Por, ai ka theksuar se ka një pajtim të gjerë mes aleatëve perëndimorë se çdo marrëveshje duhet ti kontribuojë stabilitetit rajonal dhe jo e kundërta.

Nënsekretari Hale, i cili të shtunën në mëngjes i ka takuar së bashku presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, para vizitës në Prishtinë ka qëndruar në Beograd, ku ka dërguar të njëjtin mesazh për tejkalimin e pengesave që ti hapet rrugë dialogut.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Kohës Ditore për të komentuar rreth Platformës për dialog, të cilën e ka miratuar Kuvendi i Kosovës të premten, nënsekretari Hale tha se e sheh këtë si pjesë të debatit demokratik në Kosovë, por shtoi se SHBA-ja nuk ka një pozicion rreth platformës.

Në çdo rast, siç nënsekretari Hale, SHBA-ja nuk ndryshon pozicionin kur bëhet fjalë për shtetësinë e Kosovë – është në përkrahje të plotë të pavarësisë dhe sovranitetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme