Shfuqizimi i Speciales mund të bëhet vetëm me ndryshime Kushtetuese

Prishtinë | 27 Dhj 2017 | 08:11 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shfuqizimi i Gjykatës Speciale mund të bëhet vetëm me ndryshime Kushtetues, ngase funksionalizimi i saj është bërë duke ndryshuar aktin më të lartë juridik të vendit.

Kështu ka deklaruar për Ekonomia Online, analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri. Sipas tij, nisma e 43 deputetëve për shfuqizimin e Speciales ndonëse është procedurë demokratike nuk prodhon ndonjë ndryshim në fuqizimin apo jo të saj.

Tahiri tha se edhe nëse Kuvendi e shfuqizon Ligjin, nëse nënshkruhet nga Presidenti përbën shkelje të Kushtetutës.

“Pra ky ligj edhe po të miratohej në Kuvend me shumicën e thjeshtë të votave nuk do të mund të aplikohej sepse Gjykata është futur si pjesë e Kushtetutës së Kosovës dhe do të funksiononte si e tillë mirëpo Gjykata nuk funksionon pa ligj dhe pa pjesët operative që janë në këtë pjesë të ligjit. Pra do të kishim një situatë të paqëndrueshme që ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por jo i nënshkruar nga Presidenti sepse Presidenti nuk mund të bënte një akt antikushtetues”, potencoi ai.

Sipas Tahirit edhe nëse arrihet që të ndryshohet Kushtetuta me 2/3 e votave, Gjykata Speciale prapë se prapë do të aktivizohej nga ndërkombëtarët dhe do të ishte nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara.

“Fundi i fundit edhe nëse përfundojnë procedurat në rregull do me thënë ndryshohet ligji me shumicën e thjeshtë të votave ndryshohet Kushtetuta me 2/3 e votave kjo Gjykatë prapë se prapë do të aktivizohet. Besoj që do të jetë Gjykatë Ndërkombëtare nëse Kosova nuk e pranon dhe do të jetë nën Kombet e Bashkuara”, tha Tahiri.

Lidhur më atë se pse këta deputetë të cilët e kanë votuar funksionimin e kësaj gjykatë tani kërkojnë që e njëjta të shfuqizohet, Tahiri thotë se në atë kohë ata nuk kanë menduar që me të vërtetë një gjykatë e tillë do të aktivizohej.

Ai madje thotë se  nuk e kupton ndryshimin e qëndrimit të deputetëve pasi nuk po bëjnë asgjë tjetër përveç shprehjes së mllefit për këtë gjykatë.

Peticioni i 43 deputetëve për të shfuqizuar Gjykatën Speciale nuk u prit mirë nga bashkëpunëtorët ndërkombëtar. Menjëherë pas nënshkrimit të këtij peticioni, reaguan ambasadori i ShBA-së, Greg Delaëie dhe ai i Britanisë së Madhe Ruairi O`Connell.

Tahiri tha se reagimi ka qenë i pritshëm pasi marrëveshja për themelimin e Gjykatës Speciale është bërë së bashku me ndërkombëtarët dhe si e tillë nuk mund të zhbëhet në mënyrë të njëanshme.

“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, është edhe subjekt ndërkombëtar, këtë marrëveshje është bërë me ndërkombëtarët bile hartimin e tekstit është bërë bashkërisht në atë kohë ne kemi pasur ekipet e caktuara që kanë punuar dhe njëanshëm nuk mund të zhbëhet sepse ndërpritet kontakti me bashkësinë ndërkombëtare ajo që po them nuk arrihet efekt tjetër sepse gjykata do të funksionalizohet”, tha ai.

Të ngjashme