Surroi: Vrasjet u ndalën kur Thaçi e mori pushtetin

Prishtinë | 18 Shk 2017 | 19:41 | Nga

E përditshmja zvicerane “NZZ” ka biseduar me Veton Surroin, publicist i njohur nga Kosova, i cili, siç shkruan gazeta gjatë gjysmës së jetës së tij ka luftuar për pavarësi.

Sipas Surroit nuk ka të ngjarë që liria të vijë në trajtën e revolucionit, por ai do të dëshironte një fitore të një fronti të gjerë popullor të përbërë nga partitë politike dhe grupet e shoqërisë civile. Pastaj, sipas tij, hap pas hapi shteti duhet të pastrohet – “nga ata kriminelë që e kapën shtetin pas pavarësisë dhe që nga atëherë e administrojnë si të ishte pronë e tyre”.

Gazeta përkujton se gjatë “çlirimit të parë” Surroi ishte i involvuar dukshëm: më 1999 në negociatat në Rambouillet, më 2007 në diskutimet për Planin e Ahtisaarit në Vjenë. NZZ shkruan se pas luftës Surroi u tregua shumë i guximshëm kur kritikoi ashpër vrasjet sistematike të serbëve, kryesisht të moshuar, përcjell DialogPlus. Sipas Surroit nuk bëhej fjalë për hakmarrje të verbër për padrejtësitë e përjetuara, por për spastrime të kalkuluara. Kjo fushaë u zhvillua me dijen e krerëve të UÇK-së.

Surroi sot thotë: “Është indikative se vrasjet u ndalën kur Thaçi mori pushtetin”.

“Kosova është një shtet i ri, i cili që nga fillimi është drejtuar nga një grup kriminal”, thotë Surroi.

Sipas tij partitë në pushtet keqpërdorin shtetin për të plaçkitur resurset e vendit dhe për t’i ndarë ato mes vete. Mungesa e plotë e transparencës dhe e llogaridhënies e bëjnë demokracinë të duket si farsë, thotë ai.

Serbia, sipas tij, po ashtu është një shtet autokrat, por ajo për këtë ka pëlqimin e qartë të shumicës së popullit.

“Në Kosovë nuk ekziston ky konsensus me qytetarët. Ai ekziston mes pushtetarëve dhe një pjese të bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Surroi. Kjo pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, sipas tij, e toleron Thaçin për aq kohë sa ai garanton stabilitetin politik dhe vazhdimin e “normalizimit” të raporteve me Serbinë.

Por cilat janë gjasat për “çlirimin e dytë” të Kosovës? Surroi e pranon se parakushtet sot janë shumë më të pafavorshme se në vitet ’90. Në Europë nuk ndihet më asnjë puhizë e frymës së dikurshme të lirisë, amerikanët po tërhiqen gjithnjë e më shumë. Vetëm Gjermania, shton Surroi, mbetet shpresëdhënëse për ata që duan demokraci liberale.

“Jemi vetëm. Kësaj here nuk vjen aviacioni luftarak amerikan për të na ndihmuar”.

Surroi apelon që negociatat me Serbinë duhet të zhvillohen me një format të ri. Debatet për letrat ngjitëse në targa të veturave apo mbi gjatësinë e murit në Mitrovicë, “ky mikromenaxhment”, largon vëmendjen nga çështjet thelbësore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme