Tahiri njofton BE-në për ndalesën e vizitës së ish-presidentes Jahjaga në Serbi

Prishtinë | 02 Qer 2017 | 10:52 | Nga

Ministrja në detyrë për Dialog, Edita Tahiri, ka njoftuar Bashkimin Evropian për ndalesën e vizitës së ish Presidentes, Atifete Jahjaga, në Beograd nga ana e autoriteteve të Serbisë, duke theksuar se me këtë akt refuzimi Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve.

Ajo ka thënë se Atifete Jahjaga kishte respektuar procedurat zyrtare të parapara në Marrëveshjen e Brukselit dhe se vizita e saj ishte për qëllime kulturore dhe humanitare, për të paraqitur tragjedinë e grave të mbijetuara nga dhunimet seksuale gjatë luftës në Kosovë nga ana e forcave serbe, në një ngjarje kulturore në Beograd.

Ministrja Tahiri theksoi se akti i refuzimit nga Serbia tregon qartë se ajo nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj agresore dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe kjo po ashtu tregon se ata nuk janë të gatshëm për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila është një objektiv kryesor i Dialogut të lehtësuar nga BE.

Ministrja Tahiri kërkoi nga BE-ja që të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj çështjeje sa më parë që të jetë e mundur si dhe të mundësohet kjo vizitë që është në funksion të paqes dhe fqinjësisë mes dy shteteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme