Tahiri: BE po bën trysni ndaj Serbisë për zhbllokimin e urës së Ibrit

Prishtinë | 20 Kor 2016 | 19:02 | Nga

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka vizituar sot Komunën e Mitrovicës ku është pritur në takim nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, me të cilin ka biseduar për situatën politike dhe të sigurisë si dhe çështjen e largimit të barrikadës nga Ura e Ibrit.

Në këtë vizitë, ministrja Tahiri shoqërohej nga Arben Çitaku, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Rashit Qalaj, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës dhe Gazmir Raci, këshilltar i saj politik.

Ministrja Tahiri në këtë takim ka vlerësuar progresin në zhvillimin lokal të qytetit si dhe rëndësinë që ka bashkimi i qytetit të Mitrovicës për gjithë Kosovën.

“Bashkimi i qytetit të Mitrovicës dhe sigurimi i lëvizjes së plotë të lirë në urën e Ibrit janë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës dhe ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe SHBA-të për revitalizimin e urës së Ibrit dhe heqjen e barrikadës në bazë të Marrëveshjes të arritur në Bruksel për këtë çështje“, ka thënë Tahiri.

Tahiri theksoi se Bashkimi Evropian është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të zhbllokuar procesin e zbatimit të marrëveshjes dhe në këtë kontekst ka rritur trysninë ndaj Serbisë për të respektuar marrëveshjen për heqjen e barrikadës dhe në ditët në vijim mund të ketë lëvizje pozitive në këtë drejtim.

Ajo shprehu bindjen që ky proces do të përfundojë me sukses dhe pa vonesa të mëtejme, sepse marrëveshjet e Brukselit janë të garantuara nga partnerët ndërkombëtarë dhe sidomos nga kapitulli 35 me të cilin BE e detyron Serbinë t’i zbatojë marrëveshjet.

Ministrja Tahiri siguroi kryetarin e Komunës, Agim Bahtiri, për përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e përgjithshëm të kësaj komune dhe bashkëpunimin dhe bashkëveprimin për ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe rendit për gjithë qytetarët. Ajo vlerësoi lartë rolin e kryetarit të Komunës Bahtiri për angazhimet e tij në ruajtjen e qetësisë gjatë këtyre muajve të fundit për shkak të vonesave nga mos hapja e urës dhe vonesave të revitalizimit të urës për të cilat kompetente është BE në bazë të marrëveshjes së dakorduar në Bruksel.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, njoftoi ministren Tahiri dhe delegacionin qeveritar për zhvillimet dhe përparimet në Komunën e Mitrovicës duke theksuar se fokusi dhe prioritetet e tij dhe të Komunës janë të drejtuara për krijimin e një jete më të mirë për qytetarët e kësaj komune.

“Në radhë të parë zhvillimi ekonomik, mirëqenia dhe siguria për qytetarët janë çështje prioritare për mua dhe kuvendin komunal“, tha Bahtiri.

Ai potencoi se qytetarët dhe ai vet janë shumë të shqetësuar për vonesat në lirimin e urës së Ibrit për lëvizje të lirë duke vënë në pah se frustrimet e qytetarëve janë në rritje andaj kërkoi masa të shpejta nga Qeveria dhe BE-ja për zbatimin e marrëveshjes për largimin e barrikadës. Ai po ashtu falënderoi edhe qytetaret e Mitrovicës të cilët iu janë përgjigjur ftesave të tij për vetëpërmbajtje dhe mos reagim përmes protestave të ndryshme.

Në kuadër të këtij takimi, ministrja Tahiri dhe kryetari Bahtiri së bashku me delegacionin kanë takuar edhe Kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Asllan Murati, me të cilin kanë biseduar edhe për çështjen e xhamisë së Ibrit që ishte shkatërruar gjatë luftës gjenocidale të Serbisë në Kosovë.

Murati tha se kjo xhami është me vlera kulturore-fetare dhe rindërtimi i saj duhet të bëhet sa më shpejtë dhe për këtë kërkoi edhe përkrahjen e autoriteteve qendrore të Kosovës.

Ministrja Tahiri tha se Qeveria e Kosovës vlerëson dhe përkrahë këtë kërkesë legjitime dhe se kombi shqiptarë ka si pasuri të veçantë të tri religjionet dhe se kemi qenë historikisht të suksesshëm në luftën tonë për liri, sepse jemi unik në doktrinën tonë kombëtare se kombi shqiptar është para çdo feje.

Ajo bëri me dije se delegacioni i Kosovës në Bruksel i udhëhequr nga ministrja Tahiri ka mbrojtur para autoriteteve të BE-së çështjen e moscenimit të truallit të kësaj xhamie e cila do duhet të rindërtohet mbi projektin autentik të vjetërsisë së saj dhe në lokacionin ku ka qenë.

Ajo tha se kryetari Bahtiri ka prezantuar në Bruksel fakte që kanë dokumentuar ekzistimin, pronësinë dhe shkatërrimin e xhamisë në kohën e luftës. Ministrja Tahiri tha se pas përfundimit të revitalizimit të urës dhe heqjes së barrikadës do të krijohen kushtet urbanistike që kjo xhami të rindërtohet dhe të realizoj misionin e saj në shërbim të besimtarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme