Tetë lobuesit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, pozita e parë për Bill dhe Hillary Clinton

Prishtinë | 10 Qer 2019 | 10:17 | Nga Ekonomia Online

“Blic”ka publikuar një përmbledhje të lobuesve më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës.

Portali serb “Blic” ka publikuar një listë me emrat e sipas tyre lobuesve më të mëdhenj për shtetin e Kosovës.

Në shkrimin me titull: “Me shekuj lobojnë për pavarësinë e Kosovës”, “Blic”thekson se nuk është e panjohur që SHBA-të pranojnë pavarësinë e Kosovës por shton se në vendimet e disa figurave të tyre nuk qëndron politika, por hyjnë interesat personale dhe të punës, përcjell lajmi.net. I pari në listën e lobuesve më të mëdhenj janë çifti Clinton.

“Blic”shkruan se ish presidenti amerikan Bil Clinton dhe ish sekretarja e shtetit Hilary Clinton mbesin të kujtuar si ideatorët më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës. Për këtë arsye ata – shkruan “Blic”- mbështesin të gjitha vendimet e qeverisë së Kosovës, sidomos shpalljen e pavarësisë dhe kanë marrë mirënjohje të mëdha, mes tjerash edhe shtatore me emrat dhe figurat e tyre në Prishtinë.

Në pozitën e dytë të lobuesve më të mëdhenj të Kosovës është ish shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

“Blic”shkruan se bëhet fjalë për një person të cilin shqiptarët e kanë ngjitur në qiell. Walker njihet për reagimin e tij në masakrën e “Reçakut”e cila një arsye e fuqishme për bombardimin e Serbisë më 1999, transmeton lajmi.net. E treta në listë është Madeleine Albright, ish sekretarja e shtetit të SHBA-së nga administrata e Clintonit.

Ajo, sipas “Blic” me gjithë forcën e saj ka mbështetur pavarësinë e Kosovës që ka bërë që kompania e saj “Albright Group” të qëndrojë prapa një prej operatorëve më të mëdhenj të telefonisë mobile në Kosovë “Ipko”, kurse së fundmi është spekuluar edhe për blerjen e mundshme të telekomit të Kosovës.

I radhës në listë, në pozitën e katërt është kongresmeni amerikan nga Tennessee, Tim Burchett për të cilin “Blic”shkruan se nuk është gabim të thuhet se nuk është vetëm kundërshtar, por urryes i Serbisë.

Në pozitën e pestë është kongresmeni Eliot Engel i cili tash e 30 vite merret me Kosovën, transmeton lajmi.net. Zyrtarët nga Prishtina, siç shkruan “Blic”, gjithmonë mund të llogarisin në mbështetjen e tij kurse siç spekulohet, lidhjet e tij qëndrojnë edhe me lobuesit e tjerë të pavarësisë së Kosovës dhe liderët politik nga Kosova.

Në pozitën e gjashtë është gjenerali i pensionuar Wesley Clark i cili ishte komandant i forcave të NATO-s në Evropë që udhëhoqi operacioni i bombardimit të Serbisë. “Blic”shkruan se pas largimit nga shërbimi në ushtri, Clark është bërë biznesmen dhe udhëheqës i kompanisë energjetike kanadeze “Enviditi”e cila nga zyrtarët e Prishtinës ka kërkuar licenzë për kërkim të rezervave të vajrave nga të cilat do të prodhohej nafta sintetike.

Pozita e shtatë i takon Harry Bajraktarit, biznesmenit amerikan dhe lobuesit me prejardhje nga Kosova, i cili është një prej financuesve më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, shkruan “Blic”. Po ashtu, portali serb shkruan për lidhjet e tij të punës me kongresmenin Engel. Në pozitën e tetë të “Blic” është Florin Krasniqi i cili mban titullin e një prej themeluesve të UÇK-së.

Të ngjashme