Vasolli: Kosova po shihet si fajtore për krijimin e pengesave në dialogun Kosovë – Serbi

Prishtinë | 02 Mar 2021 | 20:04 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i Integrimit Evropian Besnik Vasolli, tha se e ka përshtypjen se Kosova po shihet si fajtore nga Bashkimi Evropian lidhur me krijimin e pengesave për dialogun Kosovë – Serbi.

Ai duke komentuar vizitën e Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha në emisionin Info Magazine në Klan Kosova se nga BE po kërkohet rifillimin sa më shpejtë i dialogut.

Vasolli tha se këtë e konsideron si të ngutshme.

Sipas tij Bashkimi Evropian duhet të pres formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Por, ai tha se vazhdimi i dialogut është shumë i rëndësishëm për Kosovën, duke pasur parasysh se ka një konflikt të ngrirë me Serbinë.

“Nuk po e anashkalojmë që kjo është edhe agjendë personale. Ai ka marrë një titull dhe dikush ia ka besuar atë titull dhe ai dëshiron t’i dalë ballë asaj ftesës që ka marrë. Mirëpo, duke e lënë atë interesin personal, kjo ma jep një shije që Kosova po shihet si fajtore në dialog”.

“Domethënë është duke shkuar ajo vazhda, që po ju i vendoset taksën, ju e penguat dialogun, ju nxorët problem me shkëmbim të territoreve. Tani kur do të ia filloni? Çfarë po prisni? Nëse e thjeshtojmë në këtë mënyrë unë po e shoh. Unë mendoj që kjo është arsyeja pse është pak e ngutshme”.

“Normal që është në interes të Kosovës dhe siç është në interes edhe të Serbisë për ta arritur marrëveshjen. Kosova ka një konflikt të ngrirë edhe ai konflikt i ngrirë rrezikon edhe stabilitetin e brendshëm, por e rrezikon dhe investimet e huaja, sepse nuk do të vijë asnjë investitor serioz në një vend i cili ka potencial për konflikt”.

“Po ashtu edhe për Serbinë është shumë e rëndësishme. Sepse ka kufirin e padefinuar me një fqinj që është në gjendje të konfliktit të ngrirë. E ka të kushtëzuar dialogun për vazhdimin për anëtarësim në BE. Por, duhet të pritet formimi i Qeverisë së re në Kosovë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme