Vetëvendosja e detyruar të bashkëpunojë me partitë e PAN-it, ndryshe rrezikon rrëzimin

Prishtinë | 11 Tet 2019 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Njohësit politikë thonë që VV-ja është e detyruar të bashkëpunojë me partitë e PAN-it, ndryshe rrezikon rrëzimin.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se formimin e Qeverisë do ta bëjë pa Listën Serbe.

Por, njohës të zhvillimeve politike në Kosovë e cilësojnë këtë deklaratë si të ngutshme dhe të pamatur.

Sipas politologut Blerim Burjani, Lëvizja Vetëvendosje ka numër minimal të votave që ta formojë qeverinë e vetme dhe se domosdoshmërisht duhet të bashkëpunojë me partitë e tjera.

Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit me një epërsi të ngushtë ndaj subjektit të dytë, që në këtë rast është LDK.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se qeverinë e re do ta formojë bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës por pa përfshirjen e Listës Serbe. Ai tha se në qeverinë që do ta drejtojë ai do të ketë pjesëtarë të komunitetit serb por jo nga Lista Serbe.

Por, analistët politikë këtë deklaratë të Kurtit e shohin si të hershme, pasi sipas tyre, pakicat janë kategori kushtetuese, ndërsa VV nuk mund të formojë qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.

Analisti Blerim Burjani tha për Radio Kosovën se duke pasur parasysh rrethanat dhe sistemin qeverisës në Kosovë, VV edhe po t’i kishte 30 për qind të votave, nuk do të kishte mundësi të bëjë qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera që kanë fituar ulëse në Kuvend.

“Këto tema dhe këto çështje të cilat janë euforike, plotësisht të panevojshme dhe të dëmshme, duke e ashpërsuar skenën politike të Kosovës, duke mos bashkëpunuar me askënd dhe duke konkluduar që është njeri i fuqishëm, që vetë e bëjë qeverinë, kjo tingëllon shumë patetike.”

Burjani tha se ende nuk dihet se kush do të jetë kryeministër, ndërsa shtoi se nëse dëshiron që të mos jetë Lista Serbe në Qeveri, VV patjetër duhet të bashkëpunojë edhe me partitë e PAN-it, përkatësisht PDK dhe AAK.

“Tash e ki një rezultat plotësisht katastrofë, minimal, që nuk garanton bash kurrgjë hiq. Po, thashë edhe po të ketë 7 për qind edhe 10, prapë i duhet partneritet me partitë e tjera. Këta ku shkojnë, sepse kanë me bë partneritet me PAN-in ose kanë për t’u rrëzuar vetë sepse nuk i kanë votat, u mungojnë së paku 10 vota, kah do t’i marrin këto 10 vota, prandaj duhet me qenë realë, nuk duhet bëhen debate që nuk kanë kuptim demokratik dhe as kuptim kushtetues”.

Burjani shtoi se nëse Kurti nuk bashkëpunon mirë me liderët e partive të tjera politike në Kosovë, mund të shkohet në zgjedhje ende pa u bërë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, Burjani tha se është kundër këtij sistemi zgjedhor ku mandatarit për formimin e qeverisë çdo herë i duhen 4-5 parti politike që ta ketë shumicën, pasi, sipas tij, është joefektiv dhe në dëm të qytetarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme