Vllasi: Ndarja e Kosovës do të thotë luftë

Prishtinë | 05 Kor 2018 | 12:22 | Nga

Azem Vllasi nuk pret që dialogu Kosovë-Serbi, i nisur 6 vjet më parë, në Bruksel, të përfundojë shpejt.

Në një intervistë për televizionin serb, TV Prva, Avokati Vllasi ka komentuar edhe pohimet se ndarja e Kosovës, si kompromis për njohje nga Serbia, do të hidhet në tavolinën e Brukselit.

“Nga njëra anë kryetari i Serbisë vazhdimisht po përsëritë se marrëveshja është e mundur nëse arrihet ndonjë kompromis, por nuk tregon çfarë kompromisi. Ai e përsëritë tezën se nuk mundet dikush të fitojë gjithçka, ndërsa dikush asgjë. Nuk thotë se çfarë dhe kush prej kujt duhet të fitojë dhe nëse Serbia mendon të fitojë diçka atëherë çfarë është ajo që Kosova i ka borxh Serbisë”, konstaton Vllasi.

Sipas tij, ndarja është e pamundshme dhe çdo bisedë për kufij të rinj do të përfundojë me armë.

“Edhe sikur të bisedohej për këtë, këtu nuk do të kishin pasur leverdi as Kosova as Serbia sepse do të hynin në një punë qorre. Çfarë do të thotë ndarja? Kur fillojmë të bisedojmë për kufij pëlcet problemi. Për cilën pjesë të Kosovës mendon Serbia pasi në të gjitha pjesët e Kosovës ka serb”, shton ai, transmeton Insajderi.

Gjithashtu, duke u përgjigjur në pyetje se a ka lëshuar pak pe Prishtina në kohën e fundit në qëndrimet e veta, Vllasi thotë se vetëm po krijohet përshtypja për këtë.

“Realiteti është ndryshe, sepse në Kosovë nuk ka politikan i cili do të bisedonte për ndryshimin e statusit të Kosovës, gjegjësisht për atë që Kosova mos të jetë shtet dhe se duhet të pyetet Serbia se a do të jetë Kosova shtet apo jo. Pra, për këtë çështje ajo nuk ka bashkëbisedues, dhe unë do të kisha ditur shumë mirë sikur të kishte pasur”, përfundon Vllasi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme