VV-ja dhe LDK-ja duhet të kenë qëndrim unik për dialogun me Serbinë

Prishtinë | 09 Shk 2020 | 08:21 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rifillimi i dialogut me Serbinë është kërkesë e ShBA-së, por edhe BE-së. Në takimet që kryeministri kishte me ambasadorin amerikan, por edhe shefen e BE-së, u theksua nevoja e përshpejtimit të procesit të dialogut me Serbinë.

Por njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk do të jetë i lehtë për këtë qeveri.

Abdullahu për Ekonomia Online, ka thënë se dy partitë në koalicion duhet të jenë unike, në mënyrë që të dalin fituese nga marrëveshja përfundimtare.

“Është shumë e rëndësishme dhe duhet të presim që të shohim se cila do të jetë qasja e Qeverisë Kurti. Nuk do të jetë aspak e lehtë, bazuar në atë qasje e ka pasur më herët, bazuar në atë që tani duhet të koordinojë punët me LDK-në dhe me një qëndrim të përbashkët që të dalin unik. Çfarëdo variante që t’i bishtnohet dialogut duke u thirr me patriotizëm se taksa nuk duhet të hiqet, duhet të gjendet përgjigja se çka tjetër pas taksës, e si t’ia bëjmë që të hyjmë në dialog, ngase tani nuk është koha e fjalëve, patriotizmit por kërkohet guxim institucionalist, për më shumë kërkohet këto dy forca politike që dolën fituese, ti hyjnë dialogut pa hamendësime por me strategjike të përgatitura më herët dhe me unitet që se kishim deri më tani, që të jemi përballë Serbisë unik me qëllim të nxjerrim përfitime ne me shumë se çfarëdo mënyre që mund të nxjerrë Serbinë”, ka thënë Abdullahu.

Abdullahu ka kritikuar politikën e Lëvizjes Vetëvendosje karshi dialogut, duke thënë se nuk po tregohet e sinqertë ndaj qytetarëve,  sepse nuk po tregon strategjinë që ka përballë Serbisë.

“Ajo çfarë ka bërë Kurti përgjithësi Vetëvendosje është që i kanë anashkaluar çështjen e dialogut, dhe tani ne po shohim edhe pse janë të rëndësishme çështjet e korrupsionit, nepotizmit, dialogu është esenca kruciale, është diçka me patjetër duhet të merremi. Është dashur edhe më herët të jenë të sinqertë me qytetarët, t’iu tregojnë se çfarë strategjie kanë e jo tani të ballafaqohen me dialogun duke vepruar at-hoc, pa e menduar gjatë, pra nëse është kështu, unë kam drojë se mund të pësojmë nga doalogu të fitojë Serbia më shumë se ne”, ka thënë Abdullahu.

Por shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë për Ekonomia Online se në dialogun me Serbinë, nuk duhet të diskutohen tema që rrezikojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës.

Selimi ka thënë se qasja e qeverisë Kurti karshi dialogut me Serbinë nuk do të përqendrohet në kërkesat e Serbisë për ta kundërshtuar Pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Teksa ka komentuar edhe qeveritë e kaluara në raport me dialogun, Selimi thotë se shumë herë janë biseduar tema që janë në dëm të Kosovës.

“Në dialog më këdo por në veçanti me Serbinë, asnjëherë nuk duhet të shkojmë në kurriz të shtetësisë, në kurriz të sovranitetit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. As nuk do ta bëjmë, as nuk do të duhej ta bënte askush. Megjithëse kjo ka ndodhur në të kaluarën, sepse gjithë dialogu ka qenë i përqendruar në kërkesat e Serbisë për të kundërshtuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Qeveria jonë nuk do ta bëjë një gjë të tillë, pra të diskutojë diçka që duhet të jetë e padiskutueshme në raport me Serbinë duhet të jetë sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, shtetësia e Kosovës. Prandaj në dialog me Serbinë kemi qëndrime të hapura, Kryeministri ka dhënë qëndrimet e tij dhe poashtu kemi shpjeguar 5 hapat për të shkuar deri te dialogu, hapa të cilët fillojnë këtu ku jemi tani, në kuvendin e Kosovës”, ka thënë Selimi për EO.

Selimi është optimist se qeveria Kurti do të kthejë Kosovën në kahjen e duhur të zhvillimit qoftë të brendshëm e poashtu edhe të jashtëm.

“Në mandatin e qeverisë Kurti, Kosova do ta ketë kahjen e duhur të ecjes dhe zhvillimit të saj edhe në raport me fqinjët edhe në raport me zhvillimin e brendshëm poashtu edhe në politikat e sigurisë së jashtme. Por qeveria Kurti nuk është e qeverive të tjera por është kahje e ndryshme prej atyre cfarë kanë qenë deri më tash në skenën politike, kështu që qeveria Kurti do të kthejë Kosovën në kahjen e duhur të zhvillimit qoftë të brendshëm e poashtu edhe të jashtëm”, ka thënë ai.

Të ngjashme