VV kundërshton projektbuxhetin për Komunën e Kastriotit

Prishtinë | 27 Tet 2016 | 16:28 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje në Kastriot shprehet e shqetësuar me planifikimin e buxhetit për vitin 2017 në këtë komunë.

VV thotë se planifikimi i buxhetit u diskutua në një debat të hapur me qytetarët e Kastriotit e që nuk u morën parasysh kërkesat dhe rekomandimet  e tyre!

“Në Kuvendin Komunal të Kastriotit u aprovua draft buxheti për vitin 2017, i cili nuk është se u planifikua në bazë të kërkesave të qytetareve, por u pa qartë se qëllimi ishte më shumë për përfitimin e poenëve  politik e jo thjesht investime aty ku qytetarët vërtet kishin nevojë. Lëvizja Vetëvendosje konsideron si të dëmshme qasjen në planifikimin dhe alokimin e  parasë publike e  cila nuk do duhej të ndahej në bazë të tekeve partiake, por do të duhej të merreshin parasysh edhe propozimet e opozitës të cilat ndërlidhen ngushtë edhe me nevojat e qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

VV tutje thotë se planifikimi i buxhetit duket qartë i ndikuar edhe nga zgjedhjet komunale të cilat mbahen vitin e ardhshëm, e që si prioritet kishte projektet qendrore, ku qëllimi ishte më shumë mediatik duke synuar manipulimin e opinionit publik.

“Edhe pse buxheti për viti 2017 kishte një ngritje prej gjysmë milioni euro për dallim me vitin paraprak, prapë mbeten shumë pakë para për investime kapitale. Në 13 fshatra zero investime ndërsa shuma simbolike janë ndarë për ndotjen e ambientit, shëndetësinë, arsimin të cilat janë  brengat më të mëdha në këtë komunë. Përveç ndërtimit të një shkolle fillore në Lajthishtë dhe ndërtimi i rrjetit të ndriçimit publik në 4 fshatra, planifikim i pjesës tjetër lë shumë dyshime pasi që nuk ka ndonjë projekte të  rëndësishëm  i cili parashihet të realizohet”, thuhet më tej.

VV në Kastriot thotë se buxheti i ndarë  për infrastrukturën rrugore, nuk është konkretizuar dhe nuk saktësohen emrat e rrugëve të cilët do te rregullohen apo shtrohen në zhavorr, “ndërsa ngjashëm veprohet edhe te infrastruktura publike ku nuk precizohen saktësisht projektet që do të realizohen por vetëm definohet buxheti paraprakisht. Ngjashëm është bërë edhe ndarja e buxhetit për ambientin dhe shëndetësinë, e që është një dështim i radhës pasi që vetëm 2.82% e buxhetit parashihet të investohet në gjelbërim, ndërsa 4.18%  në shëndetësi  investim këto qesharake kur kihet parasysh nivelin e  ndotjes së ajrit dhe problemet shëndetësor të qytetarëve në Komunën e Kastriotit”.

Duke parë që ky planifikim buxhetor, sipas tyre nuk përmbush as për së afërmi kërkesat dhe nevojat e qytetarëve në Kastriot, asambleisti i Lëvizjës Vetëvendosjes ka votuar kundër aprovimit të këtij buxheti.

“Lëvizja Vetëvendosje në Kastriot është kundër një planifikimi të njëanshëm të buxhetit i cili është vazhdimësi e një menaxhimi të dobët pasi qe shumica e parave shpenzohen për paga dhe shpenzimet përbrenda komunës edhe për vitin 2017!”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme