Wallstrom kërkon dialog pozitë-opozitë për demarkacionin

Prishtinë | 04 Maj 2017 | 14:24 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Margot Wallstrom, i ka inkurajuar opozitën dhe pozitën në Kosovë që të dialogojnë, për çështje të rëndësishme si lufta kundër krimit të organizuar e demarkacioni me Malin e Zi, që tha se janë kushte për liberalizimin e vizave.

Ajo, po ashtu, kërkoi që të formohet sa më shpejt Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Shefja e diplomacisë suedeze i bëri komentet pas një takimi që pati me homologun e saj kosovar, Enver Hoxhaj.

“Ju inkurajojmë për një dialog më të mirë mes pozitës dhe opozitës. E di se sa i rëndësishëm është liberalizimi i vizave për Kosovën. Vazhdimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe demarkacioni janë pjesë e kritereve që duhet të përmbushen para se të merret liberalizimi i vizave”, ka thënë ajo.

“Procesi i dialogut është i rëndësishëm për ju, po ashtu edhe të bëhet statuti i Asociacionit të Komunave Serbe”, ka thënë Wallstrom, raporton Ekonomia Online.

Ministrja Wallstrom po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë. Më herët gjatë ditës, ajo ka takuar presidentin Hashim Thaçi, ndërsa më pas do të takojë dhe kryeministrin Isa Mustafa dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Ajo tha se Suedia dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie të jashtëzakonshme bileterale.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri kosovar, Hoxhaj, tha se Suedia në 20 vitet e fundit e ka mbështetur fuqishëm Kosovën. “Suedia ka mbështetur edhe aspiratën e Kosovës për liri dhe pavarësi”.

Hoxhaj tha se me ministren suedeze kanë biseduar për tema të aspektit bilateral, duke shtuar se janë të interesuar që të vazhdojnë edhe më fuqishëm bashkëpunimin. “I jemi falënderues Suedisë për përkrahjen”.

Hoxhaj: Situata me demarkacionin është e patolerueshme

“Po ashtu kemi folur për liberalizimin e vizave, për çka Suedia e mbështet Kosovën. Së treti kemi biseduar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtarë dhe besoj se këtu do ta kemi mbështetjen e vendit mik”, ka thënë ai.

Ndërsa duke folur për liberalizimin e vizave, Hoxhaj ka thënë se kriter është demarkacioni.

“S’kam menduar asnjëherë që më 2017 do ta kemi një situatë të tillë. Vendimi është i Kuvendit të Kosovës dhe për mendimin tim kjo situatë është e patolerueshme. Është koha e fundit që kësaj teme t’i japim një drejtim dhe t’i japim fund”, ka thënë ministri i Jashtëm i Kosovës.

Të ngjashme