Ymeri: Mafiozët si Thaçi argument kryesor kanë kërcënimin e shantazhin

Prishtinë | 20 Gus 2016 | 17:23 | Nga

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë demarkacionin me Malin e Zi, kur kjo çështje të vihet për votim në seancën e 1 shtatorit në Kuvend.

Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, i cili ka thënë se Thaçi po dëshiron që agresionin e tij ndaj territorit të Kosovës ta shndërrojë në realitet institucional përmes Kuvendit.

“Kumbara i familjes Pronto, Thaçi, po vazhdon të insistojë që agresionin e tij ndaj territorit të Kosovës ta shndërrojë në realitet institucional përmes Kuvendit. Natyrisht që mafiozët si puna e tij nuk dinë ndryshe të kryejnë punë pos përmes kërcënimit, shantazhit, reketit, zhvatjes e mitos. Kështu e kapi shtetin, pastaj Presidencën. Tash kështu po don ta çojë deri në fund agresionin ndaj territorit”, ka shkruar Ymeri.

Sipas Ymerit, edhe po të mos kishin qenë fare argumentet e ekspertëve e dëshmitë e banorëve, “vet fakti që një mafioz si Thaçi po e mbron me kaq zell këtë marrëveshje, është i mjaftueshëm për të mos e pranuar atë”.

“Lëre më që nuk mund ta gjesh një njeri që ta thotë se me këtë marrëveshje nuk humbim asgjë”, shtoi ai.

“Kjo pronto klikë kriminelësh luftohet duke ua luftuar vendimet. Cilindo vendim në cilëndo kohë. Deri në gjunjëzimin e plotë të tyre. Kundërshtimi i marrëveshjes për demarkacion është kundërshtim i krimit, siç është luftimi i kriminelëve luftim i vendimeve të tyre kriminale”, theksoi Ymeri në fund të këtij reagimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme