Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo pëshëndeti miratimin nga Parlamenti i Maqedonisë të amendamenteve kushtetuese të nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, njofton Zëri i Amerikës.
“Udhëheqësit e Maqedonisë demonstruan largpamësi, kurajo dhe vendosmëri në përpjekjet për një zgjidhje të mosmarrëveshjes për emrin, që do t’i hapë tani rrugën Maqedonisë që të zërë vendin që i takon në NATO dhe Bashkimin Evropian si Republika e Maqedonisë së Veriut”, shkruan sekretari Pompeo në një deklaratë të shtunën.
Ai shton se Shtetet e Bashkuara e shohin këtë hap si një “shans historik për të çuar përpara stabilitetin, sigurinë, dhe mirëqenien në gjithë rajonin”.
Që ndryshimet e miratuara nga Maqedonia të hyjnë në fuqi, duhet që marrëveshja e Prespës të miratohet edhe nga parlamenti grek.