Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i telefonoi mbrëmjen e së premtes ministrit të Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati “për të përgëzuar qeverinë shqiptare për dëbimin e dy funksionarëve iranianë, mes të cilëve dhe ambasadorin e Iranit, në përgjigje të një komploti të sponsorizuar nga Irani, për të realizuar një sulm terrorist në Shqipëri”, njoftoi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Paladino.
Më herët përmes një postimi në Twitter, ministri Bushati kishte shkruar mbi bisedën telefonike me Sekretarin Pompeo “i cili falënderoi Qeverinë shqiptare për udhëheqësinë në marrjen e veprimeve kundër praktikave të papranueshme diplomatike”, shpjegoi zoti Bushati, duke shtuar se gjatë bisedës “u nënvizua bashkimi i forcave nga ana e Shqipërisë me vendet e tjera europiane për të mbrojtur sigurinë evropiane kundër të gjitha veprimtarive keqdashëse të pushteteve të tjera”, voa.
Ndërsa në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit theksohet gjithashtu se “pas arrestimeve të fundit të cilat ndërprenë planet e thurura nga Irani në Danimarkë dhe në Francës, veprimet e Shqipërisë, dërgojnë një mesazh të qartë se terrorizmi Iranian është i papranueshëm në tokën europiane”.
Sekretari Pompeo uroi Ministrin Bushati dhe për marrjen nga ana e Shqipërisë të Presidencës së OSBE-së në vitin 2020. “Mezi ç’presim të punojmë me Shqipërinë në OSBE, për të mbrojtur vlerat perëndimore”, përfundon njoftimi mbi bisedën mes Sekretarit amerikan të Shtetit dhe ministrit të Jashtëm shqiptar Bushati.
Vendimi për dëbimin e dy diplomatëve iranianë u njoftua të mërkurën, duke shpjeguar se ata “dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend” dhe se për këtë vendimin qeveria shqiptare ishte “konsultuar me vendet aleate”. Dëbimi i tyre u përshëndet menjëherë nga autoritetet më të larta amerikane, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ju drejtua me një letër përgëzimi kryeministrit shqiptar Edi Rama.