Pompeo viziton Arabinë Saudite për diskutime me fokus Iranin

Prishtinë | 20 Shk 2020 | 08:28 | Nga Ekonomia Online

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, po viziton Arabinë Saudite për bisedime me Mbretin Salman dhe djalin e tij, Princin e Kurorës, Mohamed bin Salman si dhe ministrin e Jashtëm, Faisal bin Farhan, thanë zyrtarët e Departamentit të Shtetit.

“Ne do të kalojmë shumë kohë duke folur për çështjet e sigurisë dhe në veçanti për kërcënimin nga Republika Islamike e Iranit”, u tha Pompeo gazetarëve në kryeqytetin e Etiopisë, para se të nisej për në Riad, informon AFP.

Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara ishin “të gatshme për të biseduar në çdo kohë” me Iranin, por theksoi se regjimi iranian “duhet të ndryshojë rrënjësisht sjelljen e tyre”.

“Fushata e presionit vazhdon. Nuk është vetëm një fushatë e presionit ekonomik, por edhe e izolimit diplomatik”, tha ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili mbanë lidhje të ngushta me Arabinë Saudite, në vitin 2018 u tërhoq nga një marrëveshje bërthamore me Iranin dhe vendosi sanksione gjithëpërfshirëse që synojnë të zvogëlojnë ndikimin rajonal të Teheranit.

Vizita tre-ditore e Pompeos në Arabinë Saudite, vjen pas një sulmi me telekomandë – të urdhëruar nga Uashingtoni – nga i cili u vra, Qasem Soleimani, gjenerali më i fuqishëm i Iranit.

Vrasja e gjeneralit, të cilin Shtetet e Bashkuara e konsideronin si terrorist, ndodhi më 3 janar, në Bagdad të Irakut.

Tensionet rajonale u rritën, pas vrasjes së tij, pasi Irani u përgjigj me sulme raketash ndaj forcave amerikane në Irak.

Zyrtarët amerikanë e kanë fajësuan Iranin për një sulm në instalimet e naftës saudite, në muajin shtator të vitit 2019.

Arabia Saudite ka thënë se 18 dronë dhe shtatë raketa sulmuan dy rafineri të naftës në Abqaiq dhe Khurais më 14 shtator. Rebelët Huthi, që janë të lidhur me Iranin kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Qëllim kryesor i Iranit është të thellojë ndikimin dhe të mbrojë interesat e tij në Lindjen e Mesme, ose, së paku, t’i pengojë kundërshtarët, si Arabia Saudite, që të kenë më shumë pushtet.

Të ngjashme