Popull dinjitet-tredhur!

Prishtinë | 09 Gus 2016 | 17:06 | Nga Jusuf Thaçi

Popullit të Kosovës i kanë mbetur shumë pak të këqija pa i përjetuar. Vetëm në 30-vjeçarin e fundit ky popull ka përjetuar pothuajse çdo të keqe që mund të përjetojë një popull. Pavarësisht kësaj, ky popull (si shumicë) ka heshtur e po vazhdon të heshtë karshi këtyre të këqijave, megjithëse të gjitha këto i përjeton në lëkurën e vet.

Kjo heshtje, kjo mënjanëri, kjo apati, gati absolute, e popullit të Kosovës karshi të keqes që e përjeton vet, mund të ketë vetëm një diagnozë: ky popull është tredhur gati plotësisht! Dhe jo, nuk e kam fjalën vetëm për tredhje në kuptimin e ngushtë të fjalës (tredhje të organeve gjenitale), sepse kjo do të ndikonte eventualisht vetëm në natalitetin e popullsisë, por e kam fjalën për tredhje kolektive të përmasave shumë më të mëdha, shumë më të gjithanshme, shumë më të frikshme!

Me këtë heshtje, mënjanëri e apati gati absolute karshi të keqes që e përjeton vet, populli i Kosovës po dëshmon se ky popull ka pësuar tredhje kolektive të shumëllojshme: vlerore, kombëtare, intelektuale, morale, kulturore e qytetare. Shumë më shumë e shumë më keq se kaq, gjithsesi si rezultat i këtyre, duket se ky popull tashmë ka arritur në fazën më kritike: ka pësuar tredhje të dinjitetit, individual e kolektiv (sigurisht me përjashtime).

Atyre që mendojnë se është ekzagjerim ajo që sipër-thashë, po ju sjellë në kujtesë shembuj në mënyrë kronologjike, që nga vitet e 90-a e deri më sot.

Gjatë viteve 90-a ky popull përjetoi poshtërim, torturë, burgosje e vrasje. Megjithëse të gjitha këto i përjetoi për vite, në përmasa të mëdha e në mënyrë sistematike, sërish heshti! Gjatë kësaj periudhe, mjaftonte një “101-sh” me dy milicë serbë (me nga një TT në shokë) të terrorizonte fshatra të tërë ose një qytet të tërë në Kosovë. Populli i Kosovës heshtte!

Kur ndodhi lufta ky popull përjetoi dhunime, tortura, vrasje, masakra të tmerrshme, depërtim masiv, spastrim etnik. Pavarësisht kësaj, vetëm 1% e popullit u mobilizua aktivisht në luftë të armatosur (apo rreth 2% e popullatës së rritur e të aftë për luftë). Eventualisht edhe një përqindje e vogël dha kontribut të tërthortë gjatë luftës. Ndërsa, pjesa dërmuese e popullit të Kosovës priste fatin ose mrekullinë që ta shpëtonte e çlironte Kosovën! Pra, shumica e populli të Kosovës heshti gjatë luftës!

Pas luftës ky popull përjetoi administrim arrogant ndërkombëtar, pothuajse monarki absolute, për të cilët vullneti i qytetarëve shumicë të Kosovës nuk ekzistonte, të cilët ia ndanë Kosovës një pjesë të territorit dhe lejuan që kjo pjesë të spastrohet nga shqiptarët, të cilët e krijuan një super-etni minoritare në Kosovë që e ka mbajtur e po e mban peng Kosovën në të gjitha aspektet, të cilët krijuan ambient ideal dhe lejuan që çdo sferë e jetës në Kosovë të kriminalizohet nga pasuesit e tyre (vendorët). Populli i Kosovës heshtte!

Kur pushteti kaloi te vendorët ky popull lejoi degradim e kriminalizim të arsimit, gjyqësisë, shëndetësisë, ekonomisë, kulturës, artit. U tredhën akademia, universitetet e shkollat, gjykatat e prokuroritë, spitalet e shtëpitë e shëndetit, kompanitë publike e private, muzika e teatri. Të gjitha këto u bënë nga njerëzit e pushtetit, të votuar nga qytetarët e Kosovës, që diheshin me emër e mbiemër. Populli i Kosovës heshtte!

Kur erdhi momenti i shpalljes së pavarësisë ky popull u pajtua që të kishte një shtet që veç emrin e kishte të tillë. Ky “shtet” nuk ia njihte historinë e sakrificën popullit të vet, nuk ia lejonte qytetarëve të vet të drejtën për vetëvendosje, nuk kishte sovranitet në mbarë territorin e vet, nuk kishte ushtri, nuk mund të bënte asnjë ndryshim në kushtetutë e në shumë ligje vitale pa miratimin e super-etnisë. Populli i Kosovës heshtte!

Viteve e kohëve të fundit ky popull lejoi vjedhjen masive të votave, poshtërim e nënshtrim të shtetit ndaj xhelatit që na ka vrarë, zgjedhje të presidentit të shtetit nga zarfi, zgjedhje të presidentit të shtetit nën masa policore. Ditëve të fundit populli po kundron nga anash, krejt indiferent, krijimin e super-shtetit brenda Kosovës (Zajednicën), faljen e tokave shqiptare Malit të Zi (Demarkacioni), aferat korruptive të funksionarëve të lartë publikë e shtetërorë, mos-guximin e Kryeprokurorit të Shtetit për t’i ndjekur penalisht të pushtetshmit. Pra, sërish populli i Kosovës po heshtë!

Pavarësisht të gjitha atyre që u përmendën më sipër, populli i Kosovës as nuk flet, as nuk proteston e as nuk voton kundër këtyre të këqijave. Populli i Kosovës thjeshtë heshtë!

Prandaj, një popull që jeton shpresëhumbur, në varfëri, me papunësi të madhe, pa arsim cilësor, pa gjyqësi që ofron drejtësi, pa spitale që ofrojnë shërim, pa biznese që sjellin zhvillim, pa art e pa kulturë, pa shërbime publike, me institucione publike të uzurpuara, me pushtetarë të pasur, të korruptuar, arrogantë e vasalë të të tjerëve, në shtet të cenuar nga të tjerët e që u fal territore të tjerëve, e pavarësisht të gjitha këtyre ky popull heshtë, e në heshtje pajtohet me të gjitha këto të këqija, atëherë ky popull s’mund të jetë gjë tjetër veçse Popull Dinjitet-Tredhur!

E meqë “shpresa vdesë e fundit”, uroj e shpresoj që populli i Kosovës më në fund të zgjohet, ta rikuperoj veten nga kjo tredhje dhe ta fitojë e ta mbrojë atë që e meriton: jetën e mirë e të dinjitetshme!/GazetaExpress/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme