Porosia gjermane për Gjykatën Speciale dhe Demarkacionin

Prishtinë | 14 Shk 2018 | 20:12 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova duhet të përgatitet edhe për “çështjet jo të këndshme”, siç janë ato Dhomat e Specializuara, të cilat do të trajtojnë krimet e mundshme të luftës.

Ai ka porositur gjithashtu që çështja e demarkacionit me Malin e Zi të kalohet, si kriter që është vënë nga BE-ja për liberalizimin e vizave, raporton Ekonomia Online.

“Ne angazhohemi që Kosova të përgatitet për çështjet jo të këndshme, siç janë Dhomat e Specializuara, të cilat do të trajtojnë krimet e mundshme të luftës”.

“Jam i lumtur që ka vullnet të zgjidhet edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi është mirë që ky kriter të plotësohet dhe të zgjidhet çështja e vizave”, deklaroi shefi i diplomacisë gjermane.

Në fillim të konferencë me gazetarë, Gabriel ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së vendit.

“Gjermania bën pjesë në vendet e para që e kanë njohur Kosovën dhe është krenare me të arriturat e deritanishme. Gjermania dëshiron që edhe në të ardhmen të mbetet një partner i qëndrueshëm në Kosovë. Shpresojmë që Kosova të ketë stabilitet politik dhe ekonomik”, theksoi ministri i jashtëm i Gjermanisë.

Në vazhdim, Gabriel ka numëruar si sfida për Kosovën forcimin e zbatimit të ligjit, reforma në drejtësi. Ai ka përmendur dhe vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, si rast që duhet të zgjidhet.

Haradinaj: Gjermania partner i rëndësishëm në konsolidimin dhe forcimin e shtetësisë së Kosovës

Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim dhe ka falënderuar ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, për përkrahjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës që nga koha e vështirë e deri në ditët e sotme në të gjitha dimensionet.

Në takimin që kryeministri Haradinaj zhvilloi me ministrin e Jashtëm Gabriel, u bisedua për progresin që ka bërë Kosova në këto 10 vjet në shtetndërtim, në zhvillimin ekonomik, por edhe për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

Pas takimit, në të cilin ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dalibor Jevtiq, kryeministri Haradinaj dhe ministri Gabriel, mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

“Për mua dhe për Kosovën çdo zyrtarë që vjen nga Berlini është interes, është dobi dhe ndihmë, por sot është një nder i veçantë që në Kosovë ta kemi ministrin e Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Sigmar Gabriel me një delegacion. Kjo ishte një mundësi ideale për t’i shpjeguar ministrit për zhvillimet në Kosovë, për t’i dhënë po ashtu bindjet tona për të arriturat e Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj falënderoi Gjermaninë për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës si në aspektin ushtarak, në atë ekonomik, të ndërtimit të jetës politike, e po ashtu edhe në perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

“Në emër të qytetarëve të Kosovës, shpreh falënderimet më të mira Ju, popullit të Gjermanisë për përkrahjen dhe sot për vizitën tuaj”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, tha se në takim është biseduar për të gjitha temat, njëkohësisht edhe për zhvillimet në rajon, duke ftuar investitorët nga Gjermania që të investojnë, ngase Kosova ka resurse dhe potencial të mjaftueshëm për investime.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe në emër të tij dhe të Republikës Federale të Gjermanisë, përgëzoi për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Më tej ministri Gabriel ka thënë se Gjermania do të vazhdoj të mbetet partner i qëndrueshëm i Kosovës, jo vetëm në aspektin politik por edhe në atë ekonomik, si dhe do të ofrojë asistencën e duhur për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.

  

Të ngjashme