Porti i Durrësit synon të jetë porti i rajonit

Durrës | 29 Maj 2018 | 12:18 | Nga

Shkarkimi i pajisjeve të mëdha si mullinjtë e erës në Portin e Durrësit, tregon sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, se Terminali Lindor i mallrave kargo ka kapacitetin t’i përgjigjet tregut rajonal.

Ai u shoqërua nga Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schütz dhe drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit Afrim Bakaj.

Gjiknuri tha se, “po përpunohet një nga ngarkesat më të mëdha që kanë ardhur ndonjëherë në Shqipëri të mullinjve me erë. Ata janë duke u instaluar në Kosovë por po përdoret Shqipëria si tranzit dhe Porti i Durrësit i përzgjedhur për shkak të kapaciteteve të tij. Është një arritje shumë e madhe për Portin e Durrësit pasi është edhe një lloj eksperience e fituar nga gjithë operatorët këtu që janë marrë me transportimin e mallrave që kërkojnë një trajtim të veçantë, si nga pikëpamja e shkarkimit por edhe transportimit në destinacion”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ministri foli edhe për mundësinë e hapjes së shkollës së Marinës Profesionale që do të njihet në të gjithë botën. Një trajnim profesional për të çertifikuar marinarë shqiptarë që të kenë mundësi të punojnë jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë.

Kjo është një nismë që pritet të mbështetet nga qeveria gjermane.

Ambasadorja Schütz tha se, ky është një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit mes një kompanie gjermane stivadore që është vendosur në terminalin lindor EMS APO dhe Shqipërisë. Jam shumë e kënaqur që ky projekt po shkon në një rrugë të mirë dhe besoj se është fillimi për një bashkëpunim edhe më të ngushtë me kompanitë gjermane dhe veçanërisht me EMS këtu në Portin e Durrësit”, theksoi ambasadorja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme