Posta promovon pullat postare kushtuar Leze Qenës dhe Besim Sahatçiut

Prishtinë | 25 Mar 2021 | 12:50 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Posta e Kosovës ka promovuar pullat postare kushtuar aktores Leze Qena dhe regjisorit Besim Sahatçiu, raporton Ekonomia Online.

Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, tha se Qena dhe Sahatçiu i dhanë vlera të mirëfillta artit në vend, prandaj edhe meritojnë trajtim të tillë.

“Është privilegj i madh i Kosovës që Postës i janë shtuar dy pulla postare  të dy personaliteteve shumë të shquara të regjisorit Besim Sahatçiu dhe aktores së mirënjohur Leze Qena”.

“Sahatçiu ishte një regjisor i dalluar me një numër të madh të filmave dhe me punën e tij të madhe kundrejt kulturës tonë”.

“Njëjtë ishte edhe Leze Qena me aktrimin e saj dhe humorin që kishte dhe veprat që na ka dhuruar”.

Djali i regjisorit të ndjerë, njëherit edhe babai i këngëtares Rita Ora, Besnik Sahatçiu tha që ndjehet i privilegjuar për trajtimin që po i bëhet babait të tij të ndjerë.

Më pas të pranishmëve edhe Rita iu është drejtuar me një video-mesazh falënderues.

“Jam i emocionuar për këtë dokumentar dhe organizim. Vajza ime Rita ishte me punë, por ju dërgon të fala përmes një videoje, që Rita kishte dërguar”.

Edhe Vajza e aktores Leze Qena, Argjenda Qena, tha që ndihet e lumtur për organizim, raporton EO.

Ajo ka falënderuar Postën që ka bërë promovimin e pullës postare pikërisht në njëvjetorit e ndarjes së aktores nga jeta.

“Rastisi edhe me një vjetorin e mëmës dhe jam shumë e emocionuar për këtë organizim”.

Ish-ministrja e Kulturës dhe Sportit Vlora Dumoshi, për Ekonomia Online tha se është ndjesi e veçantë kur respektohen dy figura të kulturës dhe artit.

“Po ishte një ndjesi e veçantë, gjithmonë respekti kur bëhen janë të madhërishme sidomos për dy figura të kulturës dhe artit pamor në përgjithësi, të cilët kanë qenë dhe do mbeten figura për kontributin që e kanë dhënë të bazamentit të kulturës shqiptare në Kosovë”.

“ishte kënaqësi por gjithashtu edhe një emocion i veçantë sidomos për mua si ish-ministre sot është edhe një vjetori i shkuarjes në amshim të z.Leze Qena të një artisteje të shkëlqyer e cila gjithmonë ka mbjell gëzim me rolet e saj, por gjithsesi edhe i madhi Besim Sahatçiu i cili ka bërë një punë fantastike me filmat të cilat i ka bërë me vite me radhë”.

Të ngjashme