Qeveria Kurti është e përgatitur ndaj sfidave që sjell dialogu me Serbinë, pas heqjes së taksës dhe vendosjes së reciprocitet të plotë.
Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) “Dialogu Kosovë-Serbi: Çfarë pas formimit të Qeverisë së re dhe përfshirjes amerikane?”, një diskutim rreth të ardhmes së dialogut Kosovë-Serbi, raporton Ekonomia Online.
Artan Abrashi, deputet i VV-së, ka deklaruar se qeverisja Kurti pas tërë kësaj stërzgjatje do t’i qaset dialogut me Serbinë me seriozitet, duke eliminuar diskutimin për kufijtë e Kosovës.
Ndër të tjera, Abrashi potencoi se taksa do të hiqet dhe do të vendoset reciprociteti.
“Kemi një rrethanë të re në Kosovë. Të vetëdijshëm përballë sfidave që vijnë. LVV dhe Albin Kurti janë të përgatitur para sfidave që sjell dialogu, nuk është e lehtë pas kësaj stërzgjatje. Kemi pasur ngecje. Ketë dialog kjo qeverisje duhet t’i qaset me një seriozitet më të madh”.
“Është një moment i rëndësishëm që të vendosen disa parime. Interesat janë të negociushme dialogu duhet ti ketë parimet që janë të rëndësishme, të mos ketë marrëveshje pa dialogim, nuk bën të ketë harta”.
“Taksa do të hiqet kur krijohen kushtet për reciprocitet politik e ekonomik me Serbinë. Në një kohë të përshtatshme synojmë të vendosim këtë masë”, u shpreh Abrashi.
Arben Gashi, deputet i LDK-së, tha se pasojat e taksës kanë qenë më të mëdha, andaj tha ai se heqja e tarifës do të mundësojë rifillimin e negociatave me Serbinë.
“Bisedimet me Serbinë dhe raportet me ndërkombëtaret janë delikate. Kemi një element siç është tarifa, pasojat kanë qenë me të rënda për Kosovën se sa për Serbinë. Heqja e taksës do t’i jep mundësi bashkësisë ndërkombëtare për rifillimin e bisedimeve me Serbinë. Ne do t’i japim shans dialogut. Nuk diskutohen kufijtë, rendin kushtetues i Kosovës”, tha ai.
Derisa nga opozita thonë se LVV-ja dhe LDK-ja nuk e kanë të qartë se çka nënkupton reciprociteti.
Daut Haradinaj nga grupi parlamentar i AAK-së, deklaroi se reciprociteti është një shmangie për opinionin publik, derisa kërkoj që në dialog të shkohet për njohje reciproke.
“Në raport me Serbinë do të jemi kujdestar të ruajtjes se 17 shkurtit të viti 2008. Është shqetësues që dy subjektet politike nuk e kanë qartë reciprocitetin, çfarë reciprociteti kemi me Maqedoninë e Shqipërinë. Është një shmangie para opinionit publik”.
“Në tavoline me Serbinë te shkohet për njohje reciproke. Hapja e tregut për Serbinë është një goditje për Kosovën pas 12 vitesh. Nuk ka treg në Kosovë, derisa ta njeh Kosovën. Taksa ka qenë një shkas që integritetin Kosovës është i paprekshëm, çdo tendencë e prek historinë”, u shpreh Haradinaj.
Haxhi Shala nga grupi parlamentar i NISMA-s, paralajmëroj se heqja e taksës është goditje për Kosovën, derisa kërkoi dokumente të qarta nga dy partitë politike përgjegjëse për fillimin e dialogut, raporton EO.
“Nëse është një reciprocitet i plote do të thotë se gjitha marrëveshjet do të implementohen. Është një goditje për Kosovën. Ne jemi një krizë siç kemi qenë me taksën”.
“Duhet të kemi një dokument të qartë, është përgjegjësi e dy subjekteve udhëheqëse. Taksa ka pasur efektin e vet”, ka thënë Shala.