Pranimi i targave “RKS” nga Serbia, Bislimi thotë se po e kamuflojnë dështimin në Banjskë

Prishtinë | 26 Dhj 2023 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pas njoftimit nga politikanët serbë se Serbia do t’i njohë targat ‘RKS’ që nga 1 janari i 2024-ës.
Bislimi ka thënë se për këtë, është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga Serbia, teksa shtoi se për dy vite çështja e targave është përdorur për destabilizim.

“Me vendimin për njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe. Në shtator 2021, Serbia e përdori këtë çështje për të kërcënuar Kosovën e fluturuar Mig-at përreth kufirit tone”, deklaroi ai.

“Që nga fillimi, pozicioni i delegacionit tonë në Bruksel ishte i qartë: na duhet një zgjidhje e përhershme në linjë me standardet e Bashkimit Evropian dhe propozimi i vetëm i Kosovës si dhe zgjidhja ideale në këtë drejtim ka qenë që Kosova dhe Serbia t’ia njohin targat njëra tjetrës në modelin aktual – të cilat janë në përputhje me standardet e BE-së – e pa asnjë ndryshim”, shtoi më tej Bislimi.

“Gjithashtu duhet të theksojmë dhe rikujtojmë, se ky nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është vetëm maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë dhe dështimit të narrativës së tyre të ushqyer për kaq shumë kohë në Bruksel”-përfundoi ajo.

Të ngjashme