Në komunat veriore të Kosovës nuk ka pasur furnizim me produkte serbe përmes rrugëve alternative, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, duke mohuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili kishte deklaruar se Beogradi ka furnizuar serbët në Kosovë me produkte elementare, të paktën për një muaj.
Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Ekrem Mustafa në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se nuk ka asnjë indikacion se në pjesën veriore të Mitrovicës kanë hyrë produkte nga shteti i Serbisë. Dyqanet në pjesën veriore të Kosovës, sipas ministrit Mustafa, janë duke u furnizuar me mallra nga pjesa jugore e Mitrovicës. Ai thotë se në dhjetë ditët e fundit, Kosova e ka forcuar kontrollin në rrugët alternative.
“Të gjitha pikat e gjelbra kontrollohen nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me KFOR-in. Në dhjetë ditët e fundit në rrugët alternative janë përqendruar më shumë kontrollime. Do të thotë, (deklarata e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq,) është një presion i tyre që dëshirojnë ta bëjnë. Edhe në samitin e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Poloni, ata kanë pohuar se do të shfrytëzojnë rrugët alternative në mënyrë që të denigrojnë vendimin e Qeverisë se Kosovës”, thotë Mustafa.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha të hënën se ai e bëri “një pjesë të mirë të punës”, në furnizimin e serbëve në Kosovë për nevojat themelore, të paktën për muajin e ardhshëm.
“Ia arritëm të sigurojmë një pjesë të mirë, por si e bëmë këtë, nuk do të flas”, ka thënë Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë.