Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ka përmbushur pjesërisht pritjet e tij.
Prelec ka thënë se nuk pret marrëveshje të rëndësishme mes Kosovës dhe Serbisë më 2022, edhe për shkak se Kurti dëshiron të mos i japë proritet këtij procesi.
Prelec beson se Kosova do të ishte mirë që ta provonte se çfarë mund t’i ofrojë iniciativa rajonale, Ballkani i Hapur. Sa i përket sundimit të ligjit, ai thotë se Qeveria e Kurtit duhet të ketë kujdes që luftën kundër krimit të mos e bëjë mbi baza etnike.
Zoti Prelec, si do ta përshkruanit Kosovën gjatë vitit 2021?
Marko Prelec: Mendoj se sikur të gjitha shtetet tjera fqinje ka qenë duke u përballur me pasojat e pandemisë globale. Në fillim ndoshta ka qenë më keq sesa vendet e rajonit, për shkak të fushatës së ngadalshme të vaksinimit, mirëpo më pas ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm, duke u siguruar se vaksinat kanë arritur te njerëzit.
Për herë të parë pas pavarësisë, Lëvizja Vetëvendosje ka formuar e vetme Qeverinë, pa asnjë parti shqiptare në koalicion. Megjithatë, pas tetë muajve, partia e njëjtë ka fituar katër prej 38 komunave në zgjedhjet lokale. Si e komentoni punën e Qeverisë në këtë periudhë?
Marko Prelec: Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë e zhgënjyer nga rezultatet në zgjedhjet lokale, ndonëse kjo nuk është diçka e pazakonshme për një parti që ka marrë pushtetin në një valë të zemërimit me udhëheqësinë e kaluar politike. Është sfidë që të organizohet një lëvizje e madhe me njerëz për të kundërshtuar të kaluarën dhe në të njëjtën kohë të identifikohen liderë lokalë karizmatikë për të krijuar në infrastrukturë politike që më pas të ketë sukses në zgjedhjet lokale. Nuk është e çuditshme që dolën keq. Mjaft keq.
Ata kanë shënuar disa suksese, por edhe dështime po ashtu. Dhe, kjo më duket se është zemëruese, sepse ka pasur shenja se vetë Albin Kurti dhe Lëvizja që ai drejton, nuk e admirojnë ideologjinë, por suksesin dhe aftësitë politike të disa liderëve tjerë në rajon që kanë pushtet të plotë. Shumica prej tyre janë populistë sikurse (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiq, apo lideri i Republikës Sërpska (Millorad) Dodik, apo edhe (kryeministri hungarez, Viktor) Orban në Hungari. Vetëvendosje nuk është as afër, nuk e ka atë shkallë të pushtetit. Dhe, mendoj se kjo është gjë e mirë për Kosovën.
Mendoj se, po ashtu, është mirë për Kosovën që është parti e re dhe nuk ka dalë nga periudha e luftës për pavarësi, por nga koha pas pavarësisë, ndonëse i ka rrënjët më të thella. Ajo, po ashtu, është hera e parë që mund të udhëheqë vetëm me partitë e minoriteteve. Kjo e qartëson skenën politike dhe njerëzit e dinë se kush është përgjegjës. Tani ka mundësi për llogaridhënie politike gjë që vështirë arrihet kur kemi disa parti të njëjta dhe të vogla që vazhdimisht janë nëpër koalicione. Ky është zhvillim i shëndetshëm për Kosovën. Mirëpo, ndërkohë po shfaqin kokën edhe vështirësitë.