Vitet e fundit në fushën e bujqësisë u investuan miliona euro. Të gjitha këto investime nuk e kanë ndalur trendin e importit, përkundrazi ka rritje të vazhdueshme. Ndërsa, edhe ndarja e granteve dhe subvencioneve u bë në mënyrë të padrejtë dhe duke favorizuar persona dhe grupe të caktuara.
Kështu bëri të ditur Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, e cila prezantoi hulumtimin mbi ndikimin e granteve dhe subvencioneve në fushën e bujqësisë.
Hulumtimi ka gjetur se në listat e përfituesve të granteve për periudhën 2013-2015 ka edhe financues të PDK-së dhe VV-së. Preportr ka gjetur 13 përfitues të granteve që kanë dhënë donacione për këto dy subjekte politike, e para që është në pushtet në nivel qendror, ndërsa e dyta në opozitë. 9 përfitues kanë dhënë donacione për PDK-në, ndërsa katër kanë dhënë donacione për VV. Shumica e këtyre financuesve kanë marrë dy herë grante brenda dy viteve.
“Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, as shpërndarja e granteve duket se nuk është bërë në mënyrë të drejtë për të gjitha komunat. Nga komunat e vogla, Skenderaj (98 grante me vlerë 5,736,842 euro) Drenasi (56 grante me vlerë 3,289,985 euro) kanë përfituar më së shumti, krahasuar me komunat tjera më të mëdha, ku ka potencial më të madh për zhvillimin e bujqësisë si ajo e Mitrovicës (57 grante me vlerë 2,860,412.52 euro), Pejës (45 grante me vlerë 2,015,449), Gjakovës (42 grante me vlerë 3,501,334 euro), Gjilanit (35 grante me vlerë 2,841,763 euro) etj”, thuhet në hulumtim.
Sipas këtij hulumtimi del se në rritjen e importit nuk ka ndikuar konsumi pasi që nuk ka rritje të theksuar të tij për produktet në fjalë. Gjithashtu nga ky investim nuk mund të thuhet se pati rritje të theksuar të eksportit. Hendeku ndërmjet eksportit dhe importit për këto produkte vazhdon të jetë shumë i lartë.
Preportr pas realizimit të hulumtimit të parë në lidhje me ndarjen e granteve, favorizimet dhe padrejtësitë që janë bërë në ndarjen e tyre, ka vazhduar për të parë aspektet ekonomike të investimit në bujqësi, konkretisht për të parë ndikimin e këtyre investimeve në raport me prodhimin, importin, eksportin, konsumin dhe ndikimin e bujqësisë në zhvillimin ekonomik.
Po ashtu hulumtimi tregon se rreth 230 milionë euro janë investuar në bujqësi në tri vitet e fundit, por këto milionë nuk kanë ndikuar që të ketë rritje të theksuar në pjesëmarrjen e Bujqësisë në Bruto Produktin Vendor (BPV).
“Edhe përkundër investimeve të mëdha në këtë fushë në tri vitet e fundit pjesëmarrja e Bujqësisë në BPV nuk ka ndryshuar, por ka një luhatje të përqindjes së pjesëmarrjes ndër vite. Këtë e tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2013 pjesëmarrja e bujqësisë në BPV ishte 11.9 %, në vitin 2014 ishte 11.8 %, ndërsa në vitin 2015 ishte 11.0%”, thuhet në hulumtim.
Në periudhën 2013-2015 janë investuar rreth 220 milionë euro në fushën e bujqësisë, por kjo nuk e ka ulur importin, përkundrazi kemi rritje të importit për produktet bujqësore për të cilat jepen grante dhe subvencione për 21 milionë euro, ndërsa eksporti në këtë periudhë është rritur vetëm për 900 mijë euro. Gjithashtu ky investim nuk ka ndikuar që të ketë rritje të pjesëmarrjes së bujqësisë në GDP.
Ministria e Bujqësisë nuk ka të dhëna në lidhje me mjetet totale të investuara në fushën e bujqësisë në nivel vendi. Ky fakt shpërfaqë mungesën e koordinimit ndërinstitucional. Kjo ministri nuk ka të dhëna se sa ka investuar secila komunë dhe sa kanë investuar donatorët në komuna.
“Vetëm për trashjen e viçave dhe përpunimin e mishit nga Ministria e Bujqësisë për vitet 2013-2014 janë investuar me shumë se 7 milionë euro. Ky investim nuk ka ndikuar në rritjen e eksportit, kurse importi ka shënuar rritje. Në total janë importuar më shumë se 21 milionë euro mish të gjedhit. Ndërsa eksporti ka qenë i vogël, vetëm 5 500 euro brenda tri viteve”, thuhet në hulumtim.