Presidenca sllovene mbështet përpjekjet e Borut Pahor për t’u bërë i dërguari i ardhshëm i BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Kështu është thënë për agjencinë e lajmeve STA nga kabineti i presidentes sllovene Natasha Pirc.
Pirc së fundmi tha për mediat se Pahor është “i aftë të marrë këtë post” duke pasur parasysh përvojën e tij 17 vjeçare në poste të larta politike në Slloveni.
Ajo e cilësoi atë si një kandidat ideal, pasi siç tha ajo, sllovenët e dinë mirë situatën në rajon dhe nuk kanë motive të fshehura.
Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor së fundmi është përmendur si një nga personat që mund ta pasojë Miroslav Lajçakun në pozitën e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Tashmë është bërë e ditur se ai është duke përgatitur një draft-dokument lidhur me dialogun Kosovë–Serbi.
Pahor, ka folur edhe vetë për mundësinë që të zëvendësojë Miroslav Lajçakun në pozitën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se do ta ofrojë planin e tij për vazhdimin e procesit.
Pahor ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur dhe se nëse do ta zëvendësonte Miroslav Lajçakun në pozitën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, do ta ofrojë planin e tij për vazhdimin e procesit.
Ish presidenti slloven theksuar se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur për shkak të mungesës së besimit.
“Do të ofroj planin tim. Dialogu është në ngërç, ka mungesë besimi dhe ne duhet ta gjejmë mënyrën për të ecur përpara me besim më të madh”, ka thënë ai.
Diplomatit sllovak Miroslav Lajçak i kanë mbetur edhe pak muaj si ndërmjetësues i Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatike të Bashkimit Evropian nëpër botë, Mirosllav Lajçak, që aktualisht është i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër. Nominimi i tij për këtë post tashmë është bërë nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Lajçak shpesh u akuzua për qëndrim jo neutral. Vetë kryeministri Albin Kurti e akuzoi disa herë ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.