Presidenti brazilian nën hetime pas komenteve negative për vaksinat kundër Covid-19

Prishtinë | 04 Dhj 2021 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Lartë e Brazilit ka hapur një hetim mbi komentet e bëra nga presidenti, Jair Bolsonaro duke pretenduar gabimisht se vaksinat COVID-19 mund të rrisin mundësinë e kontraktimit të SIDA-s.

Komentet e bëra gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në media sociale – Facebook dhe YouTube i ndaluan menjëherë fjalimin presidentit, sipas politikave të tyre të lajmeve të rreme, transmeton Telegrafi.

Bolsonaro shpesh ka hedhur dyshime mbi efektivitetin e vaksinave, raporton bbc. Ai tashmë po përballet me një hetim të veçantë për trajtimin e pandemisë.

Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë më 24 tetor, Bolsonaro pohoi se raportet “sugjerojnë se njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19 po zhvillojnë Sindromën e Fituar të Mungesës Imunologjike (Aids) shumë më shpejt sesa pritej”. Pohimi është hedhur poshtë me forcë nga shkencëtarët dhe ekspertët mjekësorë.

Presidenti brazilian, i cili ka refuzuar të vaksinohet, ka mbrojtur komentet duke thënë se thjesht po citonte një artikull të një reviste.

Bolsonaro është nën presion të madh muajt e fundit dhe është përballur me një sërë krizash politike që kanë dëmtuar popullaritetin e tij.

Kujtojmë se një panel i posaçëm hetimor i Senatit mbështeti një raport që bën thirrje për ngritjen e akuzave kundër presidentit, duke përfshirë krime kundër njerëzimit. Bolsonaro ka pohuar se ai nuk është “fajtor absolutisht për asgjë”.

Ndryshe, numri i vdekjeve në Brazil shkaku i coronavirusit është i dyti më i lartë në botë, pas Shteteve të Bashkuara. Më shumë se 615 mijë njerëz kanë vdekur dhe 22.1 milionë janë infektuar me virusin, megjithëse ekziston frika se shifrat e vërteta janë shumë më të larta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme