Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e papritur të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Në reagimin e Infantinos të lëshuar në faqen e FIFA-s, presidenti i këtij institucioni ndihet krenar që ka njohur Vokrrin, duke shtuar se presidenti i ndjerë i FFK-së ka hedhur themelet për anëtarësimin e Kosovës në FIFA.
“Mora me pikëllim këtë lajm, në emër timin dhe të komunitetit të futbollit mbarëbotëror shpreh ngushëllimet më të thella për familjen e Fadil Vokrrit. Ai ka qenë një pionier në shumë mënyra dhe ka arritur një karrierë të madhe ndërkombëtare, duke luajtur në klube e liga të ndryshme të nivelit të lartë, në një kohë kur nuk ishte aq e zakonshme sa sot. Hodhi themelet për anëtarësimin e Kosovës në FIFA”, thotë presdienti i FIFA-s.
“Kjo kërkon energji të jashtëzakonshme, besim, forcë dhe bindje. Fadili i kishte të gjitha, ai ishte njeri shembull i entuziazmit, energjisë dhe një udhëheqës i madh. Jam krenar që e kam njohur dhe kam punuar me të”.