Presidenti i Afrikës së Jugut rezultoi pozitiv për COVID-19

Prishtinë | 13 Dhj 2021 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, po merr trajtim pasi rezultoi pozitiv me COVID-19. 69-vjeçari ka simptoma të lehta dhe është i izoluar në Cape Town, njoftojnë nga zyra e tij në një deklaratë.

Ramapahosa filloi të ndihej keq të dielën pasi mori pjesë në funeralin e ish-presidentit FW de Klerk. Në deklaratë bëhet e ditur se ai ia ka deleguar të gjitha përgjegjësitë zëvendëspresidentit, David Mabuza, “për javën e ardhshme”.

Tutje bëhet e ditur se presidenti ishte në “gjendje shpirtërore të mirë”, por po monitorohej nga mjekët. Ai sapo ishte kthyer nga një turne shtatëditor në Nigeri, Bregun e Fildishtë, Gana dhe Senegal.

Disa anëtarë të delegacionit të tij rezultuan pozitivë në Nigeri dhe u kthyen direkt në Afrikën e Jugut, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Presidenca tha se Ramaphosa, i cili u vaksinua në shkurt, dhe anëtarët e ekipit të tij, u testuan për koronavirus në të gjitha vendet që vizituan.

Ai citohet në deklaratë të ketë thënë se infeksioni i tij duhet të shërbejë si një paralajmërim për njerëzit që të respektojnë masat e shëndetit publik, si dhe të vaksinohen.

Afrika e Jugut ka regjistruar një rritje të infeksioneve me koronavirus që nga 24 nëntori kur shkencëtarët e saj paralajmëruan botën për variantin e ri Omricon.

Varianti, prejardhja e të cilit është e panjohur, është konfirmuar në shumë vende të botës, por ka çuar në ndalime të udhëtimit ndaj vendeve të Afrikës Jugore, të cilat Ramaphosa i ka kritikuar.

Në Afrikën e Jugut janë raportuar rreth 18 mijë raste të reja në 24 orët e fundit, por shumë njerëz mbeten në mëdyshje për të marrë vaksinat.

Të ngjashme