Presidenti i Feronikelit falënderon tifozët, beson se titulli do të shkojë në Drenas

Prishtinë | 18 Maj 2019 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Naser Ramaj, numri një i Feronikelit, ka tentuar t’i motivojë lojtarët para super ndeshjes në Ipko Superligën e Kosovës me Prishtinën – vendimtare për titull.

Sikurse sezonin e kaluar, titulli i kampionit të Kosovës do të vendoset në xhiron e fundit.

Ndeshja më e madhe e vitit në IPKO Superligë, e cila po konsiderohet si finalja e madhe e titullit do të zhvillohet të dielën në Drenas.

Lideri Feronikeli do ta presë Prishtinën në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, i cili do të jetë arenë e ndeshjes përcaktuese për skuadrën që do të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm.

Skuadra nga Drenasi prin në tabelë me 2 pikë më shumë se prishtinasit.

Prandaj, ekipit të Zekirija Ramadanit i konvenojnë dy rezultate për t’u shpallur kampion, fitorja dhe barazimi.

Nga ana tjetër, trupës së Mirel Josës i kryen punë vetëm fitorja, për t’i dhënë fund pritjes së gjatë prej gjashtë vjetësh pa e fituar titullin.

Para kësaj ndeshje ka reaguar presidenti i Feronikelit, Naser Ramaj.

Ai ka falënderuar tifozët për mbështetjen gjatë gjithë sezonit, ndërsa ka kërkuar na ta që “në pamundësi të kapaciteteve të stadiumit, dëshirës së flaktë që tërë simpatizantët të jenë të pranishëm në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, kërkojmë nga qytetarët që nuk kanë siguruar bileta, që lojën ta përcjellin edhe nga Sheshi në qendër të Drenasit”.

Ramaj e ka falënderuar Zekirja Ramadanin për punën e bërë dhe nuk dyshon që të dielën Feronikeli do të shpallet kampion sepse siç ka thënë ai “pa mëdyshje do të fitojmë. Sepse, gjatë tërë vitit ishim më të mirët. Me lojtarët më të mirë dhe golashënuesin më të mirë”, raporton Gazeta Express.

Të ngjashme