Presidenti i FIFA-s akuzon Perëndimin për hipokrizi, mbron Katarin: Evropianët duhet të kërkojnë falje 3 mijë vjet

Prishtinë | 19 Nën 2022 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i FIFA-s, Gianii Infantino, e ka akuzuar Perëndimin për hipokrizi për raportimin rreth gjendjes së të drejtave të njeriut në Katar para fillimit të Kupës së Botës.

Në një monolog të jashtëzakonshëm në një konferencë për gazetarë në Doha, Infantino foli gati gjysmë ore dhe i mbrojti me pasion Katarin dhe organizimin e Kupës së Botës, raporton televizioni BBC.

Ngjarja kishte mbetur në hije për shkak të disa çështjeve në Katar, si vdekja e punëtorëve imigrantë dhe trajtimi i komunitetit LGBT.

Infantino e filloi fjalimin duke thënë: “Sot kam ndjenja të fuqishme. Sot e ndiej Katarin, i ndiej arabët, i ndiej afrikanët, i ndiej homoseksualët, i ndiej njerëzit me nevoja të veçanta, e ndiej punëtorin imigrant”.

Në shkurt të vitit 2021, gazeta “The Guardian” ishte raportuar se 6.500 punëtorë imigrantë nga India, Pakistani, Nepali, Bangladeshi dhe Sri-Lanka kishin vdekur në Katar që nga fitimi i kandidaturës së këtij shteti për ta organizuar Kupën e Botës.

Shifra ishte mbështetur në numrat e dhënë nga ambasadat e këtyre shteteve në Katar. Sidoqoftë, Qeveria e Katarit ka thënë se shifra e përgjithshme është mashtruese, sepse jo të gjitha vdekjet e regjistruara janë të njerëzve që punonin në projekte të lidhura me Kupën e Botës.

Infantino tha: “Unë jam evropian. Për atë që ne e kemi bërë për 3.000 vjet përreth botës, do të duhej të kërkonim falje gjatë 3.000 viteve të ardhshme para se të japim mësime morale.”

“Nëse Evropa vërtet mërzitet për fatin e këtyre njerëzve, ata mund të krijojnë kanale ligjore – siç bëri Katari – ku një numër i këtyre punëtorëve mund të vijnë në Evropë për të punuar. Jepuni atyre ca të ardhme, ca shpresë”, shtoi ai.

“Kam vështirësi për ta kuptuar kritikën. Ne duhet të investojmë për t’i ndihmuar këta njerëz, në shkollim dhe për t’u dhënë të ardhme më të mirë e më shumë shpresë. Ne të gjithë duhet ta edukojmë veten, shumë gjëra nuk janë të përkryera, por reforma dhe ndryshimi marrin kohë”, tha më tutje Infantino.

“Ky mësimi moral i njëanshëm është thjesht hipokrizi. Hamendësoj se pse askush nuk e njeh përparimin e bërë këtu nga viti 2016. Nuk është lehtë që të merren kritikat e një vendimi që është marrë para 12 vjetëve. Katari është gati, kjo do të jetë Kupa më e mirë e Botës ndonjëherë. Mua nuk më duhet ta mbroj Katarin”, shtoi ai.

Të ngjashme