Presidenti i FIFA-s e uron FC Prishtinën për titullin e kampionit

Prishtinë | 20 Maj 2021 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e ka uruar FC Prishtinën për titullin e kampionit të Kosovës, shkruan Gazeta Express. Kreu i futbollit botëror e ka bërë këtë përmes një telegrami të dërguar në adresë të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Gjithashtu, ai e ka inkurajuar klubin më të madh në vend që të vazhdojë të punojë, në mënyrë që të arrijë suksese edhe në të ardhmen. Bardhekaltrit së fundmi e festuan titullin e më të mirit pas tetë vjetësh pritjeje.

Më poshtë mund ta lexoni telegrami i presidentit Infantino:

“I nderuar President, Ju lutem më lejoni të përgëzoj FC Prishtinën që u kurorëzua kampion i Kosovës për edicionin 2020/21! Ky titull pa dyshim është rezultat i punës së palodhshme, pasionit dhe përkushtimit të madh, prandaj të gjithë në klub mund të jenë krenar për këtë arritje të rëndësishme. Do të isha mirënjohës nëse përgëzimet e mia ua përcillni të gjithë të përfshirëve në klub, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë të punojnë me frymën e ekipit dhe me pasion e vendosmëri. Në emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit, përfitoj nga ky rast t’ju falënderoj Ju dhe Federatën tuaj për kontributin në zhvillimin dhe prosperitetin e futbollit në Kosovë, në rajonin tuaj dhe kudo në botë. Pres që të shihemi së shpejti përsëri! Me respekt, Gianni Infantino”, ka shkruar kreu i FIFA-s.

Të ngjashme