Presidenti i Tanzanisë, John Magufuli, u ka bërë thirrje qytetarëve të shtetit afrikan që t’i kthehen Zotit dhe ta mbajnë ekonominë në lëvizje.
Por, derisa rastet janë shtuar, ka pasur thirrje që shteti të marrë masa më të ashpra, gjë që ai po e kundërshton, duke mos e marrë me seriozitet koronavirusin, raporton AFP-ja.
Derisa shtetet e Afrikës kanë vendosur masa kufizuese të pjesshme ose të plota, Tanzania u ka rezistuar këtyre praktikave, raporton AFP, transmeton KOHA. Shkollat e universitetet janë mbyllur, por tregjet, stacionet e autobusëve e dyqanet po vazhdojnë me punë si zakonisht.
Magufuli, i cili ka bërë thirrje për lutje 3-ditore, nga e premtja, për ta luftuar virusin, është një nga liderët e vetëm botëror që është ende duke e kontestuar seriozitetin e virusit.
“Është koha ta ndërtojmë besimin tonë e të vazhdojmë t’i lutemi Zotit dhe të mos varemi prej maskave. Mos u ndalni së shkuari në kisha e xhami për lutjet tuaja. Jam i sigurt se kjo është veç një erë ndryshimi dhe do të kalojë siç kanë kaluar të tjerat”, ka thënë Magufuli në një kishë muajin e kaluar.
Deri më tash, në këtë vend janë regjistruar 172 të infektuar, kurse pesë persona kanë vdekur si pasojë e Covid-19.