Presidenti i Zimbabvesë, Emmerson Mnangagwa, anuloi udhëtimin në Evropë, për shkak të protestave të dhunshme në vendin e tij.
Mnangagwa do të duhej të ndiqte samitin ekonomik në Davos të Zvicrës, ku pritej të kërkonte investime për Zimbabvenë.
Qeveria e tij thotë se opozita po e shfrytëzon rritjen e çmimit të karburantit si pretekst për dhunën, ndërsa opozita i akuzon autoritetet për shtypjen brutale të protestave.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se së paku 12 njerëz janë vrarë nga dhuna, por shifra nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Mnangagwa ka thënë më herët se rritja e çmimit të karburantit ka për qëllim të adresojë mungesën e shkaktuar nga rritja e përdorimit dhe tregtia “e shfrenuar” ilegale.
Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Qeverisë së Zimbabvesë që forcat e saj të sigurisë të ndalojnë “përdorimin e tepruar të forcës”.