Presidenti iranian thirrje myslimanëve t’i kundërvihen ShBA-së

Prishtinë | 25 Nën 2018 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

Presidenti iranian Hassan Rouhani të shtunën u bëri thirrje myslimanëve, përfshirë banorët e Arabisë Saudite, që është vendi rajonal rival me Teheranin, që t’i kundërvihen Shteteve të Bashkuara. Rouhani po ashtu e cilësoi Izraelin “një regjim i rremë”, i krijuar nga Perëndimi dhe e krahasoi krijimin e shtetit hebraik pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, “një tumor kanceroz në rajon.”

Duke folur në Konferencën Vjetore Islamike në Teheran, Rouhani tha se ShBA duan ta skllavërojnë Lindjen e Mesme. Ai tha se vendet rajonale myslimane duhet të ndalojnë “t’u shtrojnë tapetin e kuq kriminelëve” një kritikë e kuptueshme ndaj Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera rajonale me lidhje të afërta me Shtetet e Bashkuara.

Irani, me shumicë myslimanë shiitë dhe Arabia Saudite, nën udhëheqjen e një mbreti suni, shpesh janë në anë të kundërt të konflikteve në Lindjen e Mesme. Irani mbështet rebelët Houthi në luftën civile në Jemen, ndërsa Arabia Saudite udhëheq një numër vendesh suni që mbështesin qeverinë e Jemenit.

Të dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike që prej rreth tre vjetësh, pas ekzekutimit nga Irani të një kleriku shiit.

Me gjithë këto mosmarrëveshje, presidenti iranian Rouhani tha se Irani i konsideron sauditët vëllezër.

ShBA janë bërë shpesh objektiv i retorikës së ashpër të ushëheqësve të Iranit, që pas revolucionit iranian të vitit 1979, që përmbysi shahun e mbështetur nga amerikanët. Por vendimi i Presidentit Donald Trump në fillim të vitit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe rivendosjen e disa sanksioneve ndaj Iranit, që u hoqën pas marrëveshjes së vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore, i ka keqësuar më tej tensionet mes të dy vendeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme