Presidenti Hashim Thaçi ka pritur në takim kryeministrin Ramush Haradinaj. Thaçi tha se bashkë me Haradinaj kanë diskutuar për prioritet e Qeverisë së Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE).
Ai tha se ka besim të plotë që qeveria Haradinaj do të përmbush obligimet që ka marrë, raporton Ekonomia Online.
“Sot kam pasur kënaqësinë e veçantë që të takoj zotërinë Veseli dhe Haradinaj. Ne diskutuam me kryeministrin Haradinaj për angazhimet e përbashkëta që do t`i kemi për t’i përshpejtuar proceset integruese. Ky është vetëm fillimi pasi në Kuvend do të organizohen debate për proceset zhvillimore të Kosovës. Kam besimin që do të bashkohen edhe partitë opozitare. Jam i vetëdijshëm se do të ketë sfida e vështirësi, ballafaqime por me vendosmëri do të arrihen të gjitha”.
Ndërsa kryeministri Haradinaj tha se ky takim është rrjedhë e takimeve që po zhvillon në fillim të mandatit.
Ai ka thënë se javën tjetër Kuvendit do t’i prezantojë Planin Qeverisës dhe Planin Legjislativ. Haradinaj ka konstatuar se Kosova është kthyer në binar institucional.
“Kam nderin sot të zhvilloj takimin e parë me presidentin që ta krijojmë një praktikë që të mbajmë edhe takime të tjera në mënyrë që t’i raportoj presidenti për detyrat që do të kryhen nga ne. Opinioni janë në dijeni, ne veç e dimë si është qeverisa si edhe gjendja reale. Javën tjetër do të paraqesim programin që ka një nisje nga gjendja reale”.
“E dimë si është gjendja reale në vend. Do të prezantoj edhe strategjinë legjislative dhe detyrat qeverisë që do të pasojnë. Kosova është kthyer në binarët e vet qeverisës”, ka shtuar ai.
Po ashtu, presidenti i Kosovës ka përmendur edhe njëherë çështjen e formimit të një ekipi uniteti për dialogun me Serbinë, duke i ftuar aty edhe opozitën.
Në lidhje me çështjen e dialogut, kryeministri Ramush Haradinaj tha se pavarësisht të kaluarës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bisedimet nuk kanë alternativë.
“Dialogu është i paalternativë dhe se ne jemi fqinjë edhe pse e kaluara është tragjike. Ajo që e kam menduar për dialogun është edhe një diskutim i brendshëm në Kosovë në mënyrë që kur të vjen epilogu i dialogut dhe referendumi të jetë rezultat i të gjithëve”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa Thaçi kur u pyet për demarkacioni e kufirit me Malin e Zi dhe paralajmërimit e ndryshimit të marrëveshjes nga kryeministri, tha se prioritet janë të përbashkëta të gjitha institucioneve.
Sipas tij, është e rëndësishme që liberalizimi të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Të gjithë jemi të përkushtuar që të kemi liberalizim të vizave sa më shpejt andaj edhe do t’i ndihmojmë njëri-tjetri. Besoj që do të kemi mbështetjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile, por edhe të opozitës. Ne nuk jemi këtu që të komentojmë deklaratat e njëri-tjetrit. Nuk mendoj se asnjë projekt asnjë iniciativë duhet të lidhet me këtë apo atë person”.
“Ne duhet që të gjitha energjitë në aktivitetet të përbashkëta. Fokusimi ynë është që të çojmë sa më shpejt proceset përpara. Përgjegjësit tona të ndara, por prioritete janë të përbashkëta që të lëvizim sa më shpejt përpara”.
“Raporti i shtetit të Kosovës me Malin e Zi është raport i fqinjësisë së mirë, nuk ka marrëdhënie të prishura mes të dy shteteve. Kemi raporte të shkëlqyera”, tha ai, raporton EO.
Por Haradinaj nuk foli për këtë temë, ndonëse ditë më parë kreu i ekzekutivit në mbledhjen e parë ka shkarkuar kryetarin e Komisionit për shënjimin e kufizimit me Malin e Zi Murat, Mehën, në vend të tij e emëroi ish-deputetin e LDK-së, profesorin e Gjeografisë, Shpejtim Bulliqin.
Bulliqi ishte kundërshtari i madh i marrëveshjes për kufirin duke ofruar edhe dokumente që dëshmonin të kundërtën që kishte konstatuar komisionin shtetëror.
Kreu i AAK-së sa ishte opozitë bashkë edhe me Vetëvendosjen dhe partnerin e koalicionit të tanishëm Nisma për Kosovë, mandatin e kaluar kanë kundërshtuar versioni aktual të marrëveshjes me shtetin fqinjë nën pretendimet se Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektar nga ky demarkim.
Marrëveshja u nënshkrua më 26 gusht nga atëherë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.
Dëshmitarë të nënshkrimit ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, Fillip Vujanoviq, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.
Ajo ndonëse u soll në kuvend nga qeveria nuk u hedh as një herë në votim. Ratifikimi i kësaj marrëveshje në Kuvend u vendos si kusht për të fituar liberalizimin e vizave, nga Bashkimi Evropian (BE).