Presidenti slloven emëron Janez Janshën kandidat për kryeministër

Prishtinë | 26 Shk 2020 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Presidenti slloven, Borut Pahor, të mërkurën, emëroi ish-kryeministrin, Janez Jansha, kandidat për kryeministër të ri dhe i kërkoi parlamentit të konfirmojë emërimin e tij, raporton Reuters.

Javën e ardhshme, pritet që parlamenti të konfirmojë, kreun e Partisë Demokratike Sllovene (SDS), Janez Jansha, në pozitën e kryeministrit.

Ai do të zëvendësonte Marjan Sarec, nga partia e qendrës së majtë, i cili dha dorëheqjen muajin e kaluar.

“Në bisedime me grupet parlamentare zbulova se kandidati gëzon mbështetje të shumicës, dhe se ne mund të presim konfirmimin e tij (në parlament)”, tha presidenti, Borut Pahor

Emërimi vjen një ditë pasi SDS-ja ra dakord për një koalicion me partinë e qendrës së djathtë Qendra Moderne, partinë konservatore Sllovenia e Re dhe partinë e pensionistëve Desus.

Të katër partitë së bashku mbajnë 48 nga 90 vendet në parlament.

Jansha, 61 vjeç, drejtoi qeverinë sllovene nga viti 2004 deri më 2008 dhe nga 2012-ta deri më 2013-të.

Ai është i afërt me kryeministrit hungarez, Viktor Orban, dhe ka mbrojtur politikën e kontrolleve të rrepta kufitare për të parandaluar fluksin e migrantëve të paligjshëm.

Sipas marrëveshjes së koalicionit, qeveria e tij do të rrisë pensionet dhe do t’i japë më shumë para nga buxheti qeverive lokale.

Pasi të konfirmohet nga parlamenti, Jansha do të ketë 15 ditë për të paraqitur qeverinë e tij, e cila pritet të miratohet nga parlamenti deri në fund të marsit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme