Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ka qenë ndër folësit në panelin e ditës së parë të Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë të Halifaxit e në të cilën u diskutua për të ardhmen e intervenimeve ndërkombëtare dhe të misioneve ndërkombëtare.
Duke treguar për përvojën e Kosovës, Presidenti Thaçi u shpreh se bota mund të mësojë shumë nga sukseset por edhe lëshimet e misioneve ndërkombëtare në Kosovë.
E para që duhet të mësohet është nevoja për të komunikuar me komunitetin vendor, u shpreh Presidenti Thaçi, duke shtuar se ndonëse qytetarët e Kosovës ishin të okupuar nuk do të thotë edhe se ishin të pa-emancipuar.
Presidenti Thaçi u shpreh se sot Kosova është kthyer nga një konsumuese e sigurisë në eksportuese të sigurisë.
Çelës ka qenë komunikimi me të gjithë, gjithë-përfshirja dhe afirmimi i vullnetit për paqe dhe pajtim, konkludoi Presidenti Thaçi.